Hoti harron se ishte njeriu me i shpërfillur në mbledhjen e Qeverisë, rrahë gjoks në FB me vendimet e Kurtit

Hoti harron se ishte njeriu me i shpërfillur në mbledhjen e Qeverisë, rrahë gjoks në FB me vendimet e Kurtit

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, sot u përshkrua me shumë shkarkime dhe vendime të papritshme. Partnerët qeverisës LDK dhe VV, kishin një pikë në të cilën nuk u pajtuan.

E zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, doli të jetë njeriu më i shpërfillur gjatë kësaj mbledhje. Por, me të përfunduar mbledhja, Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, bëri një paralajmërim goxha të fuqishëm. Ai tha se ky është vetëm fillimi, shkruan Gazeta Insajderi.

““Sot ishte vetëm fillimi. Sot Qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performancës të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti, duke harruar se pikërisht për këtë sot u shpërfill nga kolegët e tij të VV-së.

Me propozimin e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari që të shkarkohen bordi i Drejtorëve të Telekomit pasi që sipas saj nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre financiare, nuk u pajtua Hoti.

Ai i kërkoi ministres Hajdari të mbledh komitetin ndërministror për ndërmarrje publike që të konsultohet në lidhje me këtë vendim.

“Mendoj që është propozim i bazuar, por unë ftoj ministren që të analizojë të gjitha raportet e auditimit të ndërmarrjeve publike sepse gjendja në këto ndërmarrje është ndoshta më keq se këtu. Por unë kërkoj që të mblidhet komiteti ndërministror për ndërmarrje publike si hap i parë për të shqytuar këto raporte dhe t’i rekomandoni qeverisë marrjen e masave”, tha Hoti.

Kërkesa e Hotit nuk u morr parasysh nga kryeministri Kurti dhe ministrat e tjerë dhe u vendos në votim ku u shkarkua Bordi i Drejtorëve të Telekomit.

E ajo në të cilën patën dallime të mëdha e madje u përcoll me një përplasje ndërmjet zëvendëskryeministrit Hoti dhe ministrit të financave Besnik Bislimi, ishte vendimi për heqjen e mëditjeve të KQZ-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi është ankuar për shumën që e ka kërkuar KQZ-ja derisa ka kërkuar që të mos votohet edhe për mëditjet e tyre, siç është kërkuar.

“Zgjedhjet janë bërë me e zgjedhë kryetarin e komunës jo me i pasuru KQZ-në, është skandaloze kërkesa me e bo 60% mëditje, do të ketë zgjedhje një ditë jo 3 muaj. Parja publike duhet të shfrytëzohet si nikoqirllëk”, tha Bislimi teksa propozoi që të refuzohet si e pabazuar edhe kërkesa e PZAP-it për punë jashtë orarit, 18 mijë euro.

E këtë nuk e ka pëlqyer Hoti, i cili i është përgjigjur Bislimit duke i thënë se qeveria duhet të kujdeset që të mos jep kualifikime që mund të jenë të pabazuara.

“Të kujdesemi si qeveri që asnjëherë të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje tona personale, por, që mund të jenë të pabazuara. Ju e keni obligim, duhet të kujdeseni që çdo cent që ndahet për KQZ-në të shpenzohen sipas rregullativës, ju duhet të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, theksoi Hoti.

Bislimi iu përgjigj Hotit duke i thënë se si ministër nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor paranë publike.

Përveç ministrit të Infrastrukturës që vjen nga radhët e LDK-së Lumir Abdixhikut, asnjë ministër tjetër i kësaj partie nuk votoi pro kësaj./ Insajderi.com