Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurtit, i cili paralajmëroi se ndër vendimet e para që do t’i marrë si qeveri është shfuqizimi i disa vendimeve të Qeverisë Hoti, njofton Insajderi.
Hoti tha se vendimet e tij janë të pakontestueshme, dhe se shfuqizimi i tyre është vetëm fiksim i Kurtit.
Tutje, i pari i ekzekutivit u shpreh se Kurtit nuk do t’i vie shanca që të marrë pushtetin.
“E para është veç fiksim i tij, pasi nuk ka me i ardhë shansi me marrë pushtetin prapë. Vendimet që i kam marrë unë s’ka kush që i konteston, ato janë vendime të rëndësisë shtetërore. Imagjino nëse do të konstatohet marrëveshja e Uashingtonit. Gjitha këto janë parulla për fushatë pa asnjë përmbajtje”, tha ai.
Këto deklarata Hoti i bëri të premten para medieve, pas vizitës në kopshtin “Bardha Akademi”./Insajderi.com