Hoti: Integrimi i tregut është hapi i parë drejt pajtimit politik të rajonit

Hoti: Integrimi i tregut është hapi i parë drejt pajtimit politik të rajonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se beson fuqishëm që pas zotimeve në Samitin e Sofjes, gjatë javës së kaluar, integrimi i tregut është hapi i parë drejt pajtimit politik të rajonit, transmeton Insajderi.

Sipas tij, qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyçe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në Bashkimin Evropian, të gjithë rajonit.

Kështu tha ai në Forumin Ekonomik të Vjenës, ‘’Vjena dialogu për të ardhmen 2020’’ me moton “Ekonomia takon politikën në botën digjitale’’, ku mori pjesë së fundmi.

Në këtë forum, ku u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit, Hoti tha se përkundër pandemisë COVID-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova, sipas tij, është e vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe pret qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik, shtoi ai.

Hoti foli edhe për projektet konkrete të bashkëpunimit multilateral me të cilat promovohen katër liritë: shërbimet, kapitali, idetë si dhe liria e dijës dhe e hulumtimit. /Insajderi.com