Hoti: Jemi të bekuar që kemi pasur një prijës si Ibrahim Rugova

Hoti: Jemi të bekuar që kemi pasur një prijës si Ibrahim Rugova

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova është e bekuar që ka pasur një prijës si Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, njofton Insajderi.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Rugova i priu vendit në një epokë që u shndërrua vet simbol i pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Sot shënojmë datëlindjen e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, prijësit të vendit tonë në udhën e shenjtë për liri, pavarësi dhe demokraci! Ibrahim Rugova, intelektual i shkëlqyeshëm i vlerave të modernitetit perëndimor, njohës dhe afirmues i mrekullueshëm i trashëgimisë sonë letrare, kulturore e shpirtërore, vizionin e tij estetik për refuzimin e së keqes dhe shëmtisë e barti edhe në rrafshin politik, për t’i dhënë Kosovës dhe botës një model unik të udhëheqësit të urtë dhe konsistent, të prijësit fisnik dhe të moderuar. Jemi të bekuar që kemi pasur një prijës të tillë, i cili, duke i prirë vendit në vitet e një epoke, u shndërrua vetë në simbol të saj – simbol të pavarësisë së Republikës së Kosovës”.

Sot në Istog është inauguruar kompleksi memorial “Dr.Ibrahim Rugova”, ndërsa me këtë rast kryeministri i vendit, Avdullah Hoti tha se Istogut përmes shtatores, po i kthehet djali i zgjedhur, ideatori si dhe prijësi për Kosovën e Pavarur, presidenti Ibrahim Rugova./Insajderi.com