Hoti: Kryeministri Kurti do të udhëheq me dialogun

Hoti: Kryeministri Kurti do të udhëheq me dialogun

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do ta udhëheq procesin e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga i Dërguari Special i Administratës Trump, Richard Grenell.

Hoti ka deklaruar se shefi i ekzekutivit do ta kryesojë dialogun, të cilin tash e disa vjet është duke e udhëhequr presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Qeveria do të jetë pjesë e dialogut. Kryeministri i vendit e kryeson procesin e dialogut dhe sigurisht asnjë marrëveshje nuk mund të bëhet pa dakordimin tonë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se ka marrë garancë nga partnerët ndërkombëtar se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë Kosovë-Serbi, e cila, siç është përfolur në media, mund të jetë arritur nga presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

“Unë kam diskutuar me z. Grenell për këto brenga, në mënyrë që të dijmë ku jemi. Ne duhet ta konfirmojmë se ku ka mbërritur dialogu deri më tani. Garancat janë prej sekretari Pompeo që marrëveshja e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shkon drejt njohjes reciproke”, është shprehur zëvendëskryeministri Hoti.

Ai ka thënë se heqja e plotë e taksës ndaj produkteve serbe ia mundëson qeverisë që menjëherë të jetë pjesë e dialogut. /Insajderi.com