Hoti: Kryetari Mustafa po merret me takimin e partive për çështjen e presidentit

Hoti: Kryetari Mustafa po merret me takimin e partive për çështjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, derisa ka folur për zgjedhjen e presidentit, ka njoftuar të martën se janë duke bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje.

Gjatë një konference për media, Hoti është shprehur se kryetari i Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Isa Mustafa, po merret me organizimin e tryezës së partive politike, njofton Insajderi.

“Jemi duke bërë përpjekje për këtë çështje. Disa parti politike kanë dhënë pozicione e tyre”.

“Kryetari Mustafa po merret me këtë çështje dhe vetëm në tavolinë të partive politike parlamentare të gjendet zgjidhja. Të shohim nëse ka vullnet të tregojmë maturinë e nevojshme politike për të dalë nga kjo situatë”, tha ai.

Ndërkaq, për arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës nga policia serbe, Hoti ka thënë se janë duke pritur informacionet zyrtare.

“Zyra jonë ndërlidhëse në Beograd është marrë për të kërkuar informata për qytetarët e Kosovës që gjoja në pjesën serbe u arrestuan. Besoj që shpejt do të kemi informata të detajuara”, deklaroi kryeministri i vendit./Insajderi.com