Hoti kundërshton Kurtin për “mungesën e dokumentacionit”: Kryeministri ka ‘TË GJITHA’ informatat për dialogun

Hoti kundërshton Kurtin për “mungesën e dokumentacionit”: Kryeministri ka ‘TË GJITHA’ informatat për dialogun

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur ankesave të kryeministrit aktual, Albin Kurti, i cili tha se i mungojnë informacionet që sipas tij, si pasojë e kësaj “mungon dokumentacioni”, nga ekzekutivi i mëparshëm sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndonëse Kurti thotë se për shumë drafte dhe marrëveshje e hollësi, janë informuar dje në takimin me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Hoti në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se pasardhësi i tij në këtë post i ka pranuar të gjitha informatat për çdo zhvillim në këtë proces,në rastin e pranim-dorëzimit të detyrës.

“Kryeministri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka thënë Hoti.

Ai nuk ka nguruar të ndajë edhe përmbajtjen e folderit të protokolluar me dokumentet, që sipas tij përmbajnë e gjithë ecurinë e bisedimeve derisa ai ishte në krye të këtij procesi sa i përket palës kosovare.

“Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente: – Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, – Raport i detajuar mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Ëashingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.) – Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut. – Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës. – Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog, – Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog”.

Më tej ai ka prezantuar dokumentin e përgatitur mbi procesin e dialogut në qeverinë paraprake, ku janë elaboruar në detaje disa argumente.

“Përhershmëria e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, që nënkupton se pavarësia e Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është e pakthyeshme dhe e përhershme”.

“Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale”.

“Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut”.

“Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Hoti sqaron se ky dokument është dakorduar në Qeveri, është prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar me shoqërinë civile, dhe është dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë, me të cilët kanë bërë koordinimet e nevojshme.

Ish-kreu i legjilaturës së shtatë tutje ka rrëfyer procesin deri te themelimi i“Këshillit të Ekspertëve për Dialog me Serbinë” dhe emërimin e Koordinatorin për Dialog.

“Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme për secilën temë të dialogut. Mbi bazën e dokumentin mbi pozicionin e Kosovës dhe analizave të Këshillit të Ekspertëve për dialog ka nisur procesi i dialogut, një proces i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt rezultatit final që është njohja reciproke. Janë mbajtur disa takime në Bruksel në nivel të lartë dhe në nivel të koordinatorëve për dialog”, ka thënë ai duke shtuar se tema e parë e procesit të dialogut ka qenë “të pagjeturit”.

“Pastaj është diskutuar për tema të tjera përfshirë obligimet financiare (ku hyjnë dëmet e luftës, pensionet, kursimet në banka etj.). Për të gjitha këto tema, Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme të cilat janë mbrojtur në takimet në Bruksel. Dakordime të caktuara janë arritur në dialog”, mirëpo parim i gjithë kësaj sipas Hotit, ishte se nuk ka asnjë dakordim final pa u pajtuar për të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe njohjen reciprtoke si çështje kryesore të marrëveshjes finale.

Gjatë mbrëmjes së djeshme kryeministri Kurti, ka thënë se në procesin e dialogut qeveria e tij nuk ka shumë informacione, pasi sipas tij, nuk ka dokumentacione.

Në një intervistë televizive nga Brukseli, Kurti u shpreh se ish-kryeministri Avdullah Hoti nuk ka lënë asgjë në zyrën e Kryeministrit, dhe se informatat e dialogut i ka marrë më shumë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Është e vërtetë që neve na mungon informacioni, sepse na mungon dokumentacioni. Procesi ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje dhe shumë hollësi, të cilat nuk i kemi gjetur tash kur jemi kthyer në zyrë. Ne po pajisemi me dokumente nga Bashkimi Evropian, qartazi deri tani kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Kushtetuesja. Çdo herë që do të na shfaqet diçka që nuk e kemi ditur më herët, do t’i kemi rezervat tona. E kuptoj konfidencialitetin e bisedimeve, por konfidencialiteti i bisedimeve duhet të shoqërohet me transparencë. Qeveria e re nuk mund të marrë përsipër domosdoshmërisht zotimet e njëanshme, jo transparente të ekzekutivit të vjetër. Kemi rezervë të madhe ndaj zotimeve nga kryeministri paraprak, por kjo nuk do të paraqet problem shumë të madh. Me Qeverinë e re mund të flitet për kapitullin e ri”, deklaroi Kurti. /Insajderi.com