Hoti: LDK-ja nuk rri në qeveri me VV-në nëse ajo e izolon Kosovën

Hoti: LDK-ja nuk rri në qeveri me VV-në nëse ajo e izolon Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë në një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje, në qoftë se kryeministri Albin Kurti izolon Kosovën nga partnerët ndërkombëtar.

Hoti, në emisionin Pressing të T7, deklaroi se LDK-ja nuk pranon ta izolojë Kosovën nga partnerët e saj.

“A mund të qeverisësh suksesshëm një qeveri e cila nuk e ka mbështetjen e ShBA-se? Në një qeveri të tillë LDK nuk rrin. Një qeveri e cila e izolon veten nga partnerët ndërkombëtar nuk mund të çojë përpara agjendën e Kosovës. LDK nuk rri në një qeveri të tillë”, ka thënë Hoti.

Hoti, ka kundërshtuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind për lëndën e parë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Ky nuk ishte vendim. Vendimet e qeverisë nuk merren në konferenca shtypi. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim për të cilin nuk dakordohen partnerët qeverisës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoti. “Kërkesa e jonë ka qenë e vazhdueshme që ne duhet të ulemi dhe të dakordohemi vazhdimisht si qeveri”.

Kryeministri Kurti ka konfirmuar sot heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të lëndës së parë të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kjo masë e vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e drejtuar prej Ramush Haradinajt, do të fillojë heqja e taksës 100 për qind nga data 15 mars e këtij viti.

E nëse Serbia vazhdon fushatën jomiqësore, atëherë, siç ka thënë sot kryeministri, nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe deri më 15 qershor. /Insajderi.com