Hoti: Masat e reja kundër COVID-19 do të finalizohen deri të premten

Hoti: Masat e reja kundër COVID-19 do të finalizohen deri të premten

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se tash e disa ditë janë duke i diskutuar masat e reja kundër përhapjes së Coronavirusit, duke shtuar se ky diskutim pritet të përfundojë deri të premten, njofton Insajderi.

Hoti pas takimit me përfaqësuesit e odave ekonomike, në një konferencë për media njoftoi se do të zhvillojë një takim me ekspertët e shëndetësisë, para se të mirren masat e reja.

“Ka nja 3-4 dit që që jemi duke i diskutuar masat e reja, sot e bëmë këtë diskutim dhe do të vazhdojmë edhe sonte, shpresojmë se deri të premten të përmbyllim këtë diskutim”, ka deklaruar Hoti.

I pyetur se a do të ketë masa shtesë për diasporën, ashtu siç kanë vendosur shtetet tjera karshi Kosovës, ai tha se janë duke u diskutuar edhe këto masa.

“Jemi duke i diskutu në bazë të rekomandimeve ekspertëve, të organziatave ndërkombëtare dhe duke i pa përvojat e vendeve tjera. Nuk mund të them tash çfarë masa konkrete do të ketë edhe për qarkullim të qytetarëve edhe nga diaspora, por besoj që deri të premten i finalizojmë dhe i kryejmë konsultimet e nevojshme”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit./Insajderi.com