Hoti me kërkesë të qartë për deputetët

Kryeministri i Kosovës ka kërkuar nga deputetët që të votojnë për rishikimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Hoti me kërkesë të qartë për deputetët

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për rishikimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për grante dhe kredi.

“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka thënë se kjo do të hapte rrugën që të mbarojë procesi me pagesat e të papunëve dhe bizneseve  si pjesë e Pakos Emergjente, pastaj të vazhdohet me programin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. Fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 mil euro është pjesë e këtij buxheti”, ka përfunduar reagimi i Hotit.

Në disa seanca ka dështuar të votohet për rishikimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, madje në seancën e së premtes dështoi votimi pas një incidenti në mes Vjosa Osmanit dhe deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj. /Insajderi.com/