Hoti në “Javën e Krenarisë”: Mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+, përgjegjësi e të gjitha institucioneve

Hoti në “Javën e Krenarisë”: Mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+, përgjegjësi e të gjitha institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka premtuar mbështetje për komunitetin LGBTIQ+, në ditën kur po shënohet “Java e Krenarisë”, me qëllim të mbështetjes dhe garantimit të të drejtave të këtij komuniteti.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti thotë se jep mbështetje për nismat dhe veprimet të cilat qojnë në përmbushjen e nevojave dhe të drejtave të këtij komuniteti konform të drejtave kushtetuese, ligjore dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.

“Në vazhdimësi ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për nismat dhe veprimet të cilat qojnë drejt përmbushjes së nevojave dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ konform të drejtave kushtetuese, ligjore dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”, ka shkrua Hoti në Facebook.

Në shenjë përkrahje për këtë komunitet të gjitha ndërtesat qeveritare janë vendosur flamuj shumëngjyrësh.

“Në këtë kontekst, Republika e Kosovës ka konsoliduar kornizën ligjore me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili siguron promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha grupeve të margjinalizuara në shoqëri, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTIQ+. Pra, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave të komunitetit LGBTIQ+ është një përgjegjësi integrale e të gjitha institucioneve në vend”, ka shkruar tutje ai. /Insajderi.com