Hoti nënshkruan Deklaratën për vendosjen e fëmijëve në qendër të agjendës qeveritare

Hoti nënshkruan Deklaratën për vendosjen e fëmijëve në qendër të agjendës qeveritare

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, e ka nënshkruar të enjten Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me Koalicionin e OJQ-ve KOMF.

Hoti u zotua për përfshirjen e fëmijëve në qendër të agjendës qeverisëse pas zgjedhjeve.

“Më vjen shumë mirë që jam i pari nga kandidatët në këto zgjedhje që e nënshkruaj këtë deklaratë dhe atë pikërisht më 1 qershor që është një ditë e veçantë për fëmijët. Unë zotohem se do t’i shtyjë përpara të gjitha pikat e Deklaratës për Fëmijët që e kam nënshkruar sot”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e këtyre zotimeve “veç janë pjesë e programit tonë, si pjesëmarrja në arsimin parashkollor, kujdesi i nënës ndaj fëmijës për 12 muaj pas lindjes, që do të jetë pushim prindëror, sepse në jetë nuk ka gjë më të çmuar se fëmijët”.

Donjetë Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF ka thënë se fëmijët në Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme dhe jetët e fëmijëve në Kosovë ndikohen çdo ditë nga politikat e Qeverisë, Kuvendit dhe nga veprimet e tyre.

“Proceset transparente dhe të qasshme për të pasur pikëpamjet e fëmijëve në procesin e buxhetimit duhet të krijohen”, ka thënë Kelmendi./Insajderi.com