Hoti nis kërkesën tek presidenti për hapje të misionit diplomatik në Izrael

Hoti nis kërkesën tek presidenti për hapje të misionit diplomatik në Izrael

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë pëlqimin e tij për të dërguar te Presidenti Hashim Thaçi, kërkesën për hapje të misionit diplomatik në Izrael, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, njofton Insajderi.

Këtë kreu i Qeverisë e bëri sot në një takim konsultativ me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot në një takim konsultativ me Ministren për Punë të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dha pëlqimin e tij për të dërguar te Presidenti kërkesën për hapje të misionit diplomatik në Izrael”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit.

Hoti ka theksuar se Izraeli është partner strategjik i Kosovës dhe se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve vjen si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington. /Insajderi.com