Hoti: Nuk përjashtohet ashpërsimi i masave anti-COVID

Hoti: Nuk përjashtohet ashpërsimi i masave anti-COVID

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se situata epidemiologjike në vend është serioze, ndërsa ka paralajmëruar se nuk përjashtohet ashpërsimi i masave anti-COVID, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku ka shkruar se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani, kanë vlerësuar se situata është serioze dhe me tendeca përkeqësimi.

“Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është serioze. Në takimin e rregullt javor midis përfaqësuesit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ministrit të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me partnerët ndërkombëtarë (Misionet diplomatike, Komisioni Evropian, Agjencitë e OKB-së në Kosovë) u diskutua për masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në menaxhim të epidemisë me Covid -19”, ka shkruar ai.

“Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, vlerësuan se situata epidemiologjike me Covid 19 në vendin tonë është serioze dhe me tendenca përkeqësimi. Pasi që numri i qytetarëve të prekur me Covid 19 në ditët e fundit arrin 120 të infektuar në 100 mijë banorë. Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikëqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur tutje Hoti.

Kryeministri tutje ka njoftuar se partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur mbështetje të plotë për masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, duke shtuar se kanë kërkuar angashim shtesë në monitorimin e situatës.

“Sipas tyre, nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontrollë shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor.

Të gjitha palët u dakorduan që të intensifikojnë komunikimin me qëllim të rishikimit të gjendjes epidemiologjike dhe në rast nevoje të ndërmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me situatat e krijuara”, ka përfunduar Hoti. /Insajderi.com