Hoti para eurodeputetëve: Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave

Hoti para eurodeputetëve: Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një takim virtual me drejtuesit e Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 eurodeputetë.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në këtë bashkëbisedim janë trajtuar tema të ndryshme që prekin marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Europian, mirëpo biseda është përqendruar sidomos te çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti i ka njoftuar bashkëbiseduesit për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe për implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të vendit, ndërsa, më pastaj, ai ka shjelluar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kërkesat e shtruara për liberalizimin e regjimit të vizave.

“Gjatë viteve në vazhdim Komisioni adaptoi katër raporte për dialogun për vizat në Kosovë, ndërsa në vitin 2016 ky Komision propozoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pas përmbushjes së dy kritereve të fundit të mbetura, që ishin ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur edhe këto dy kërkesa, duke i përmbushur të gjitha standardet e kërkuara në udhëzimet për liberalizim”, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka rikujtuar se Parlamenti Evropian, më 13 shtator 2018, ka rënë dakord për të filluar bisedimet për heqjen e vizave, qëndrim ky që është rikonfirmuar edhe më 28 mars 2019, mirëpo ky process është ende në pritje të një vendimi nga Këshilli i Evropës.

“Parlamenti Evropian, më 13 shtator 2018, ra dakord për të filluar bisedimet për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe këtë qëndrim e rikonfirmoi edhe më 28 mars 2019. Po ashtu, pati edhe një votim tjetër në shtator 2019, në Komitetin për Liberalizim, që votoi për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo votë u konfirmua në seancën plenare të Parlamentit Evropian, më 9 tetor 2019 në Bruksel”, është shprehur tutje Hoti.

“Por, me gjithë konfirmimin e Komisionit për përmbushjen e të gjitha kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe votave pohuese të Parlamentit Evropian, procesi është ende në pritje të një vendimi nga Këshilli i Evropës. Një nga shqetësimet e shteteve anëtare është se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shkaktojë një valë të re migracioni. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se është arritur shumë përparim në administrimin e migracionit, ndërsa numri i kërkesave për azil nga Kosova është i papërfillshëm”, ka përfunduar kryeministri I Kosovës. /Insajderi.com/