Hoti për planin e higjienës në shkolla: Të jetë i qartë dhe i zbatueshëm

Hoti për planin e higjienës në shkolla: Të jetë i qartë dhe i zbatueshëm

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, organizuan sot një takim virtual, në të cilin, përveç tri opsioneve tashmë të publikuara të kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, u diskutua edhe Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19.

Me këtë rast Hoti kërkoi që të gjitha kriteret dhe udhëzimet për respektimin e masave mbrojtëse nga infeksioni të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të qarta, në mënyrë që nxënësit, mësimdhënësit, personeli administrativ dhe ndihmës në shkolla ta kenë më të lehtë zbatimin e tyre.

Po ashtu, kryeministri kërkoi që MASH-i dhe departamentet komunale të Arsimit të përcaktohen me kohë se sipas cilit opsion do të organizohet procesi mësimor në secilën komunë, në mënyrë që drejtoritë dhe mësimdhënësit t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e mësimit duke i respektuar të gjitha protokollet e zhvillimit të procesit mësimor, si dhe masat mbrojtëse nga infeksioni COVID 19.

Ndërsa, ministri Likaj paraqiti kornizën e kushteve të veçanta për zhvillimin e procesit mësimor brenda hapësirave shkollore, rregullat e organizimit dhe të menaxhimit të mësimit në klasë, si dhe veprimet që duhet të ndërmerren, në rast se sëmuret ndonjë nxënës apo ndonjë anëtar i stafit shkollor.

Në përmbyllje të këtij takimi, u vendos që kriteret dhe udhëzimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të miratohen si vendime nga Qeveria e Kosovës dhe, si të tilla, t’u shpërndahen Departamenteve Komunale të Arsimit./Insajderi.com