Hoti për vendimin që të mos fillojë mësimi deri me 14 shtator: “T’i bëjmë lak së keqes”

"Unë jam optimist se ne kemi zgjuarsinë dhe dashurinë për fëmijët për të përballuar me sukses kthimin e tyre në shkollë dhe në shoqërim me njëri-tjetrin"

Hoti për vendimin që të mos fillojë mësimi deri me 14 shtator: “T’i bëjmë lak së keqes”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përdorur llogarinë e tij në Facebook për të shpjeguar vendimin e ditëve të fundit që megjithatë mësimi të mos fillojë me një shtator, por me 14, për shkak të pandemisë, njofton Insajderi.

Hoti shkruan se mbase dikujt edhe mund t’i duket se koha prej dy javësh s’përbën ndonjë diferencë, por e ka gabim, sepse me këtë vendim kryeministri është i bindur se “i kemi bërë lak së keqes”.

“Shumë kush do të thotë se për këto dy javë nuk do të fitojmë asgjë, por gabohen. Kur të gjithë së bashku pranojmë të vihemi në shërbim të shëndetit të fëmijëve tanë, mund t`i bëjmë lak së keqes duke e evituar atë”, shkruan Hoti.

Kryeministri ka kërkuar nga prindërit që të flasin me fëmijët e tyre dhe t’ua shpjegojnë sa jetike është të respektohen masat e udhëzimet kundër COVID-19.

“Në këto ditë që kemi përpara, si prindër duhet të flasim shumë me fëmijët tanë për rëndësinë që ka të mbajturit e maskës dhe distancës edhe atëherë kur vrulli fëmijëror kërkon që rregulli të thyhet. Duhet t`u bëjmë me dije fëmijëve tanë se ata duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe tonin. Duhet ta kuptojnë këtë si mision”.

“Në anën tjetër çdo mësimdhënës, punëtor shkolle e përgjegjës institucional duhet ta përdorë këtë periudhë dy javore për të bërë të gjitha përgatitjet në shkollë që shëndeti i fëmijëve të mbrohet”.

“Unë jam optimist se ne kemi zgjuarsinë dhe dashurinë për fëmijët për të përballuar me sukses kthimin e tyre në shkollë dhe në shoqërim me njëri-tjetrin”./Insajderi.com