Hoti premton tryezë të partive politike për postin e presidentit

Hoti premton tryezë të partive politike për postin e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, paralajmëroi se së shpejti pritet të organizohet një tryezë që të tubonte partitë politike për të diskutuar rreth pozitës së presidentit, njofton Insajderi.

“Duhet të ndjekim vetëm një zgjidhje kushtetuese. Shpejt do të organizohet tryeza e partive politike për të parë deponimin e partive politike nëse ka disponim që të diskutohet për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit”, tha ai për gazetarët.

Ai tha se secila parti ka qëndrim të caktuar për postin e presidentit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që është partner i LDK-së në Qeveri e ka shpallur kandidaturën e Ramush Haradinajt për president.

“Secila prej partive duket ka qëndrime të caktuara. Nuk jemi ulur në tryezë të partive politike parlamentare për të parë nëse ka vullnet që të zgjedhjet një president, dhe nëse ka vullnet cilat janë propozimet e partive. E dimë propozimin e AAK-së, tash po duket edhe të PDK-së. Besoj që ditëve të ardhshme organizohet kjo tryezë dhe të shohim se si mund të shkojmë përpara”. /Insajderi.com