Hoti-qytetarëve: Mos ju besoni atyre që dogjën Kuvendin dhe përgjakën policinë

Hoti-qytetarëve: Mos ju besoni atyre që dogjën Kuvendin dhe përgjakën policinë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, të hënën, kërkoi nga qytetarët e Lipjanit dhe gjithë Kosovës, që mos t’i votojnë ata që dogjën Kuvendin dhe përgjakën policinë tonë, burrat dhe gratë e këtij vendi, të cilët me nderë po i shërbejnë interesave të shtetit dhe qytetarëve.

“Ju jeni dëshmitarë se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata për pushtet. Dogjën Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë, ndërsa e përgjakën policinë e Kosovës, burrat dhe gratë e këtij vendi që shërbejnë me nderë”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë shtoi se ata që po vendosin sot shirita të kuq sikur në kohën e komunizmit, i kanë dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë.

“U dashtë qeveria jonë t’i rikuperoj këto marrëdhënie. Kur morëm drejtimin e qeverisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin vendosur sanksione Kosovës, pasi që ishin bllokuar fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), ushtria amerikane paralajmëronte ikjen nga Kosova, ndërsa trajnimet për FSK-në ishin pezulluar. Për shtate muaj qeverisje, jo vetëm që hoqëm sanksionet, por arritëm që FSK-në ta bëjmë pjesë të Gardës së Iowa-s, për të kontribuar për paqen në botë”, pohoi ai./Insajderi.com