Hoti sërish në zyrën e Thaçit, flitet për gjendjen e shkaktuar së fundmi nga Coronavirusi

Hoti sërish në zyrën e Thaçit, flitet për gjendjen e shkaktuar së fundmi nga Coronavirusi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kreun e Qeverisë, Avdullah Hotin, për herë të dytë brenda pak ditëve.

Në këtë takim të sotëm, temë kryesore ishte situata e krijuar së fundmi në vend si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, derisa nuk dihet nëse Thaçi dhe Hoti kanë diskutuar edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në komunikatën e dërguar nga zyra e presidentit thuhet se kanë diskutuar për koordinimin ndërinstitucional në kuadër të luftës kundër pandemisë, për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, reformat dhe pakon ekonomike.

Thaçi ka thënë se është jashtëzakonisht me rëndësi që bashkëpunimi ndërinstitucional të jetë efektiv.

“Diskutuam si ta tejkalojmë sa më mirë, sa më lehtë dhe sa më shpejtë pandeminë, që të respektohen të gjitha rekomandimet e ekspertëve dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Dhe në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë së bashku, por para së gjithash të kemi një respektim të plotë prej të gjithëve, pa dallim, të masave që rekomandohen prej institutit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i shtetit përsëriti që e mirëpret emërimin e Skënder Hysenit si Koordinator për Dialogun, ndërkaq theksoi se dialogu assesi nuk guxon të rrëshqasë në nivel teknik.

“Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra të ndodhë njohja reciproke dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbresë në nivel teknik, sepse raporti i Kosovë – Serbi është kryekëput politik dhe jo teknik. Në nivel teknik nënkupton status-quo dhe respektim i agjendës së Serbisë”, deklaroi Presidenti i Kosovës. /Insajderi.com/