Hoti shprehë edhe njëherë admirimin e LDK-së për postin e kryeministrit: Nuk e lëshojmë

Hoti shprehë edhe njëherë admirimin e LDK-së për postin e kryeministrit: Nuk e lëshojmë

Avdullah Hoti ka thënë se LDK-ja nuk ia lë dikujt tjetër mandatarin për kryeministër, përderisa kjo parti “është e para”.

Ai ka thënë në Rubikon të KTV-së se LDK-ja dhe partitë tjera opozitare janë gati për të formuar institucione pas zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tij, “ka harmonizim në plot çështje, që mund të artikulohen në programin e qeverisë së ardhshme”.

Megjithatë, ka shtuar se LDK-ja nuk do të lëshojë mandatarin për kryeministër, pavarësisht koalicioneve të mundshme. Këtë e ka konsideruar vijë të kuqe. Sipas tij, ka ndryshime interesante në rankimin e partive. Ndonëse pa përmendur emra, Hoti ka thënë se një parti nga pozita e dytë tashmë ka rënë në të katërtën.

“Nesoj që kjo e do një sqarim të qartë. Për aq kohë sa LDK-ja është partia e parë në vend, ne jemi të parët jo në bazë të sondazheve, por nga zgjedhjet lokale të tetorit 2017. Në bazë të këtyre rezultateve ishim të parët në nivel vendi. Votat historikisht nëse shihen, për kuvendet komunale janë indikatori më i saktë për një parti politike. Janë vota puro partiake, jo të koalicioneve. Nga zgjedhjet lokale ne jemi kthyer në partinë e parë në vend dhe në çdo hulumtim serioz ishim të parët me margjinë që po rritet ndaj partisë së dytë. Po ndodh ndryshim i madh te partia e dytë e tretë. E dyta që ishte para shtatë-tetë muajsh sot është e katërta. S’mund të them cila është. Jam i obliguar t’i përmbahem hulumtimeve. Ne mbesim të parët. Për aq kohë sa jemi të parët, s’ka logjikë që një parti tjetër të marrë kryeministrin. Tash për shembull Haradinaj ka dhjetë deputetë. Çfarë fuqie politike ka ai?” ka thënë Hoti.

Ka thënë se LDK-ja ka mësuar nga e kaluara që nuk do të lëshojë për partitë më të vogla postin e kryeministrit.

“S’e përjashtojmë as opsionin për listën e përbashkët e nëse bëhet duhet të diskutohen të gjitha këto detaje. Vijë të kuqe ka gjithmonë përderisa LDK-ja është parti e parë. Nuk duhet të diskutohet kjo. Duhet të shihet si parimi i përgjithshëm i partive politike”, ka thënë ai duke shtuar se ka parë te Vetëvendosja një interes që të bashkohet me LDK-në për të ndërruar modeli qeverisës. “Duke parë interesin besoj se do të tejkalojmë të gjitha çështjet tjera”, ka përfunduar ai.