Hoti takon përfaqësuesit e DFC-së, diskutojnë për projektet kapitale

Hoti takon përfaqësuesit e DFC-së, diskutojnë për projektet kapitale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Korporatës Financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Caleb McCarry, Brian Martalus dhe John Jovanovic, si dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, njofton Insajderi.

Në këtë takim ku Hoti ishte i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, palët kanë diskutuar për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi, më 4 shtator në Uashington.

“Gjatë këtij takimi, diskutimi u përqendrua në fusha të veçanta, respektivisht në projektet kapitale, si autostrada, hekurudha dhe energjia”, tha Hoti.

Ai ka falënderuar partnerët amerikanë për kontributin e vazhdueshëm, duke marrë shkas edhe nga efikasiteti i tyre i jashtëzakonshëm për jetësimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike në mes dy vendeve. /Insajderi.com