Hoti: Do të luftojmë ashpër kundër korrupsionit

Hoti: Do të luftojmë ashpër kundër korrupsionit

Gjatë një takimi me elektoratin dhe qytetarët e Hanit të Elezit, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten se luftën e filluar kundër korrupsionit gjatë dy viteve të shkuara do ta vazhdojnë edhe më ashpër në qeverinë e re.

“Do të luftojmë ashpër kundër korrupsionit. Në mandatin tonë i kemi mbyllur vrimat e korrupsionit, por do të shkojmë edhe më tutje derisa të sigurohemi se sistemi është pastruar nga njerëzit që janë të përfshirë në këtë dukuri”, ka thënë Hoti.

“Ashtu sikur edhe në qendrat tjera anekënd Kosovës që i kemi vizituar, edhe para jush dua të them se programi ynë është një kontratë me qytetarin, është programi i zhvillimit ekonomik, për punësim, për rend e ligj, për integrime evropiane. Me një fjalë kjo është alternativa e vetme që e ka Kosova në këtë moment”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, për dy vjet e gjysmë nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa i kanë hapur 40 mijë vende të reja pune, rritjen e pagave, pensionet, duke premtuar rritje të sërishme të tyre.

“Programi ynë është i qartë për të rinjtë, për t’i mbështetur ata të gjejnë një vend pune menjëherë pas përfundimit të studimeve si dhe mbështetjen e ideve të tyre për biznes. Programi ynë është i qartë për gratë lehona, do të paguajmë për çdo fëmijë që lind nga 100 euro, të punësuarat do të kenë pushim prindëror 12 muaj me pagesë, ndërsa edhe ato që nuk janë të punësuara do ta marrin 50 për qind të pagës minimale”, ka shtuar ai, bëhet e ditur në komunikatën e kësaj partie.

Hoti ka premtuar edhe ndërmarrjen e masave në përmirësimin e kushteve ambientaliste, për të cilat Hani i Elezit ka shumë nevojë./Insajderi.com