Hoti thotë se nuk jep dorëheqje: Zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje

Hoti thotë se nuk jep dorëheqje: Zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se informacionet për dorëheqjen e tij nuk janë të vërteta, njofton Insajderi.

Kështu është deklaruar ai me anë të një postimi në Facebook, ku tutje ka thënë se veprimet e tij të deritanishme kanë dëshmuar gatishmërinë e përkushtimin e tij për punën që e bën në këtë post.

“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta. Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19”, ka thënë ai.

Hoti thotë se në Kosovë janë dy opsione. Të dakordohen për presidentin apo të shkohet në zgjedhje të reja.

“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, thotë ai.

Gjatë mbrëmjes së djeshme gazetari kosovar, Astrit Gashi, ka deklaruar në një intervistë televizive se ka informacione që kryeministri Hoti ka ofruar dorëheqjen. /Insajderi.com