Hoti thotë se Petkoviq nuk hyri në Skenderaj: Kemi folur me Bekim Jasharin

Hoti thotë se Petkoviq nuk hyri në Skenderaj: Kemi folur me Bekim Jasharin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth vizitës së drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, njofton Insajderi.

Ai tha se nuk është e vërtetë që nuk është njoftuar kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, madje thotë se ka qenë në kontakt me Jasharin për vizitën e Petkoviq.

“Zyrtari serb nuk ka qenë në Komunën e Skenderajt, nuk qëndrojnë këto dhe mbi disa informata kryetari Jashari ka reaguar, ne kemi qenë në kontakt me të”, ka thënë Hoti.

Kreu i Qeverisë tutje ka njoftuar se Petkoviq nuk ka qenë në komunën e Skenderajt.

“Zyrtari serb nuk ka qenë në komunën e Skenderajt. Ato janë dhënë gabim përmes mediave dhe kjo ka nxitur reagimin e kryetarit Bekim Jashari. Nuk është e saktë që ai ka qenë në Skenderaj. Ne kur i japim leje i japim saktë se kur do të hyjë në Kosovë, ku do të shkojë pra vendet dhe kur do ta lirojë Kosovën”, ka thënë Hoti. /Insajderi.com