![Hoti tregon se si të arrihet marrëveshja me Serbinë](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/02/Avdullah-Hoti-foto-KALLXOcom-e1502356310930.png)
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet duke mos e cenuar integritetin territorial të Kosovës, duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk voton asnjë rezolutë, e cila mandaton persona që nuk kanë legjitimitet dhe kompetenca kushtetuese për të udhëhequr një proces të tillë.
Postimi i plotë i Hotit në Facebook:
DIALOGU ME SERBINË: LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese.
- Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të nënkuptojë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, që arrihet vetëm me njohje reciproke.
- Marrëveshja duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të menjëhershëm në OKB, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit në BE dhe NATO.
- Marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet duke:
- a) mos e cenuar integritetin territorial të Kosovës;
- b) duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe
- c) duke respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës.
- Si shenjë e vullnetit të mirë, shteti i Serbisë duhet të ofrojë menjëherë të dhënat për të pagjeturit, të shpreh vullnet për kërkim-falje dhe për kompensim të dëmeve të luftës.
- Nisja e një procesi të ri të dialogut me Serbinë pa përgatitje paraprake është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. Dialogu po tentohet të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe jashtë mandatit kushtetues të tyre. Ekipet që i tejkalojnë institucionet shtetërore cenojnë përfaqësimin kushtetues të Kosovës në këtë proces dhe përbëjnë kthim prapa. Askush nuk mund të vendosë fatin e Kosovës në tavolinën e dialogut.
- Dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet shtetërore, që kanë kompetenca kushtetuese dhe legjitimitet politik.
- Ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë aktive e dialogut, por vetëm pas legjitimimit qytetarë përmes votës së lirë. Ne mbetemi të përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese.
- Ne nuk votojmë asnjë rezolutë, e cila mandaton persona që nuk kanë legjitimitet dhe kompetenca kushtetuese për të udhëhequr një proces të tillë.