Hoti: Vetëm Qeveria jonë mund të krijojë Ushtrinë dhe të heqë vizat

Hoti: Vetëm Qeveria jonë mund të krijojë Ushtrinë dhe të heqë vizat

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të shtunën në Ferizaj se vetëm një qeveri e përgjegjshme, e pastër nga krimi dhe korrupsioni, e pranueshme nga aleatët perëndimorë mund të krijojë kushte për themelimin e ushtrisë dhe liberalizimin e vizave.

“Ne kemi krijuar financa stabile si një nga kushtet themelore për krijimin e ushtrisë. Jemi partneri i vetëm serioz i aleatëve tanë euroatlantikë dhe asnjëherë nuk e kemi lëkundur këtë partneritet që nga koha e Presidentit Rugova”, ka thënë Hoti.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë se Qeveria e kaluar është penguan ta krijojë ushtrinë nga disa politikanë, të cilët për interesa personale dhe për protagonizëm e lëkundën partneritetin tonë me aleatët tanë.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Hoti ka thënë se Qeveria Mustafa ka plotësuar 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave, duke përfshirë edhe luftën e pakompromis kundër korrupsionit.

“Vetëm një qeveri e përgjegjshme, partnere e denjë e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, siç do të jetë Qeveria jonë, mund të plotësojë kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoti gjatë bashkëbisedimit me strukturat e LDK-së në Ferizaj, njofton LDK përmes një komunikate për media.

Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka thënë se komuna jonë ka më së shumti arsye për ta përkrahur kryeministrin e ardhshëm, Avdullah Hoti.

“Qytetarët e Ferizajt, kanë më së shumti arsye që t’i besojmë dhe ta përkrahin Doktor Hotin për shkak se ai ka dëshmuar me punën e tij si ministër i Financave, kujdesin e madh ndaj qytetarëve të komunës sonë dhe gjithë Kosovës”, ka thënë Sfarqa.

Ai ka shtuar se Hoti dhe Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa kanë mundësuar realizimin e dhjetëra projekteve në Ferizaj dhe gjithë Kosovën, të cilat vlerësohen lartë nga gjithë qytetarët.