
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në takimin e përbashkët me anëtarët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB), të cilët janë duke qëndruar në Kosovë.
Ata sot në këtë takim janë njoftuar nga ministrja Hoxha për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave si dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces, njofton ministria.
Ministrja Hoxha, ka theksuar se anëtarët e COWEB-it janë njoftuar, lidhur me reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme me theks të veçantë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përkushtimin për vazhdimin e reformave nga Agjenda Evropiane.
“Ne me përkushtim të plotë kemi kryer detyrat tona sa i takon liberalizimit të vizave duke vënë prioritet nacional edhe procesin integrues”, ka thënë Hoxha.
“Presim përshpejtimin e këtij procesi, sepse janë realizuar të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi dhe sivjet presim të realizohet lëvizja e lirë”.
Ministrja ka ofruar të dhëna për anëtarët e COWEB-it për përparimin e Kosovës në agjendën evropiane, duke vlerësuar se liberalizimi i vizave sjell ndryshim rrënjësor në të gjitha fushat me interes për Kosovën.