Hoxha: Zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë procesin e vizave

Hoxha: Zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë procesin e vizave

Acarimet e raporteve mes krerëve të shtetit për çështjen e korrigjimit të kufirit me Serbinë kanë shtuar dyshimet për zgjedhje të parakohshme.

Por, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka theksuar se aktualisht një proces zgjedhor nuk do t’i konvenonte aspak Kosovës, sepse sipas saj, do të shtyheshin proceset qenësore të integrimit evropian nëpër të cilat po kalon vendi.

Duke folur për proceset me interes shtetëror, ajo ka përmendur dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave, krijimin e ushtrisë, fondet e IPA-s dhe pakon e Agjendës Evropiane të Reformave (ERA).

Sa i përket procesit të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave, zgjedhjet eventuale, sipas Hoxhës, do të dërgonin sinjale jo të mira te vendet anëtare të BE-së në momentin kur ato do të japin vendimin e tyre.

“Ne edhe pse i kemi përmbushur të gjitha kriteret, prapë se prapë është një sinjal që mund të përçohet apo të interpretohet në mënyrë të gabuar te vendet anëtare kur vije puna për të vendosur”, ka deklaruar ajo për EO.

Ministrja Hoxha ka deklaruar se Kosova mezi ka arritur të sigurojë përkrahje ndërkombëtare për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri dhe nuk duhet të rrezikohet që ky proces të shtyhet.

“Gjithashtu, është procesi tjetër shumë i rëndësishëm, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri apo Forca të Armatosura të Kosovës. Edhe ky proces shumë i rëndësishëm që ne kemi shpenzuar shumë energji për të ndërtuar një konsensus, një përkrahje edhe në bashkësinë ndërkombëtare që të na përkrahin në transformimin e kësaj force”, ka thënë Hoxha.

“Tani të gjitha këto procese që janë me interes vital, thelbësor për shtetin do të shtyheshin dhe pastaj me apo pa fajin tonë ne po humbim kohë të çmuar”, ka shtuar ajo.

Ministria e Integrimit Evropian është në fazën e planifikimit të marrëveshjes financiare IPA 2 e cila do pritet t’i sjellë Kosovës qindra miliona euro. Sipas drejtueses së kësaj ministrie, në rast se Kosova mbetet pa Qeveri, nuk do të mund të argumentonte kërkesat e saj për mjete shtesë.

“Jemi në proces të planifikimit të fondeve IPA dhe ato fonde mbërrijnë për periudhën e ardhshme apo pakoja e IPA 2, që janë qindra miliona euro dhe pa një Qeveri, Kosova pastaj nuk do të ketë zërin e vet që të argumentojë se pse na nevojiten më shumë para, ky është vetëm një shembull i thjeshtë”, ka vlerësuar Hoxha.