Hoxhaj: Dhuna ndaj Xharrës nuk na ndalë në Fillimin e ri

Hoxhaj: Dhuna ndaj Xharrës nuk na ndalë në Fillimin e ri

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media, ka siguruar anëtaren e tyre më të re Arbana Xharrën, e cila mbrëmë është sulmuar brutalisht, se e gjithë PDK-ja e mbështesin atë dhe ndodhen pranë saj.

“Sulmi i zonjës Xharra është një tendencë për frikësim të njerëzve që duan që Kosova ta ketë një fillim të ri. Ne i sigurojmë qytetarët e Kosovës, votuesit e PDK-së, se PDK-ja nuk do të ndalet që Kosova nga 11 qershori ta ketë një fillim të ri”, ka shtuar ai.

Hoxhaj deklaroi se PDK-së së shpejti do t’i bashkohen njërëz tjerë nga mediet, politika dhe shoqëria civile.

Ndërkaq ka falënderuar edhe subjektet tjera politike të Kosovës për mbështetjen e treguar gjatë ditës së sotme ndaj Zonjës Xharra.

“Janë pikërisht momente të rënda si kjo me Arbanën kur ne duhet të lëmë politikën anash dhe të dënojmë ashpër çfarëdo forme të dhunës, pa asnjë hezitim. Sulmi barbar ndaj Arbanës nuk ishte vetëm një atak ndaj personalitetit të saj, ndaj një nëne, por është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe lirive tona. Ne – Partia Demokratike e Kosovës – jemi mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme të sotme nga e gjithë shoqëria kosovare”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka deklaruar se PDK mbështet fillimin e ri për Kosovën dhe synon ta zhvillojë ekonominë e vendit, të investojë në bujqësi, t’i fuqizojë gratë dhe t’u sjellë të rinjve kosovarë shpresë dhe mundësi.

“Ne jemi një parti e së ardhmes, me një lider për të ardhmen”, ka thënë Hoxhaj.