Hoxhaj: Fondi 1 miliard do të rimëkëmbë sektorin privat të prekur nga pandemia

Hoxhaj: Fondi 1 miliard do të rimëkëmbë sektorin privat të prekur nga pandemia

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se për të përballur efektet negative të pandemisë në sektorin privat, ekipi i Rimëkëmbjes ka dizajnuar fondin 1 miliard eurosh, njofton Insajderi.

Sipas tij, 500 milionë janë të dedikuara për biznesin dhe ndërmarrësinë në Kosovë si ndihmë direkte dhe pa kthim.

Këtë deklaratë Hoxhaj e bëri në komunën e Vushtrrisë ku vizitoi disa biznese prodhuese vendore, të cilave iu ka premtuar se Qeveria e udhëhequr nga ai do të jetë partner i tyre.

“Ne jemi të vendosur që ta zhvillojmë sektorin privat se nuk ka sektor tjetër, i cili mund të krijojë vende të reja të punës, i cili mund ta rritë ekonominë e vendit, ne nuk mund ta rrisim territorin po mund ta rrisim ekonominë e vendit. Nuk ka sektor, i cili mund ta rritë mirëqenien e qytetarëve sikurse sektori privat  dhe ky do të jetë prioritet kryesori i Qeverisë të cilën do ta udhëheq unë si kryeministër i Kosovës. Natyrisht që ne jemi partnerë të biznesit në Kosovë dhe do të ofrojmë mbështetje institucionale, do të ofrojmë mbështetje përmes politikave konkrete fiskale, lehtësira fiskale dhe do të jemi partnerë të tyre që këtë punë të madhe që këta po e bëjnë edhe t’u ndihmojmë që t’i eksportojmë produktet e tyre jashtë, po të jenë edhe një lloj imazhi i ri, një lloj brendi i ri i një Kosove të re, e cila po ndërtohet çdo ditë nga ndërmarrës të suksesshëm”, ka thënë ai.

“Sipas planit të PDK-së për rimëkëmbje, në investimet mbi 100,000 euro, që krijojnë mbi 5 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 8 %, derisa në investimet prej 500,000 deri në 1 mil. euro, që krijojnë mbi 8 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 7 % për 10 vite. Ky plan parasheh që në investime prej 1 mil. deri në 3 mil. euro, që krijojnë mbi 20 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do ta jetë 5 % për 10 vite, si dhe në investime mbi 3 mil. euro, që krijojnë mbi 30 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 0 % për 10 vite”. /Insajderi.com