Hoxhaj: Kryeministri Kurti po ikë nga zotimet

Hoxhaj: Kryeministri Kurti po ikë nga zotimet

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti ”është pa platformë, pa vizion dhe po ikë nga zotimet e tij”, shkruan Insajderi.

Hoxhaj në Facebook ka shkruar se Kurti do të duhej që të dërgonte në Kuvendin e Kosovës një platfomë ku sipas tij do të ngërthente në vete parimet, qëllimet, afatet kohore si dhe vijat e kuqe të dialogut.

“Vetëm pasi të dorëzohej një platformë e tillë, atëherë të vinte një ftesë për opozitën. Sot për sot, ai është pa platformë, pa vizion dhe po ikë nga zotimet e tij. Këtë, ai e vërtetoi edhe me mbështetjen për krijimin e Jugosllavisë së Re. Opozita nuk ka pse të bëhet pjesë e këtyre mashtrimeve”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Këto deklarata i pari i PDK-së i ka bërë si arsyetim për refuzimin e ftesës së kryeministrit Kurti, i cili i ka bërë atij dhe liderëve tjerë opozitarë për t’u dakorduar rreth çështjeve politike./Insajderi.com