Hoxhaj: Kurti para se të ftonte opozitën në takim do duhej të përgatiste një platformë të shkruar

Hoxhaj: Kurti para se të ftonte opozitën në takim do duhej të përgatiste një platformë të shkruar

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sqaroi sërish arsyet se përse ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurti për të diskutuar mbi çështjet me interes kombëtar, shkruan Insajderi.

Ai tha se kryeministri Kurti para se të ftonte opozitën në takim do duhej të përgatiste një platformë të shkruar, në të cilën të listoheshin parimet dhe qëllimet mbi ato çështje, derisa shtoi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Së pari, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij para se të ndodhë takimi do duhej ta ofronte një platformë të shkruar mbi këtë dialog, ta bënte publike këtë platformë, të kishte parime të qarta, qëllime të qarta dhe afate kohore. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha ai për ‘EuroNews Albania’.

Hoxhaj vazhdoi duke thënë se Kurti e ka ftuar opozitën mbi parimet sikurse të ishin vartës të tij dhe kjo qasje për të është e gabuar.

“Së dyti, mënyra se si është organizuar takimi z. Kurti ne na ka ftuar sikurse ne të ishim vartësit e tij. E ka caktuar kohën e takimit, por nuk e ka caktuar temën e takimit”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se partia e tij mbështet procesin e dialogut, duke shtuar se do t’i dalin për “zot Kosovës sa herë të ketë nevojë”. Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, Hoxhaj u shpreh se Bashkimi Evropian nuk është më i besueshme kur flet për këtë temë./Insajderi.com