Hoxhaj mburret se lexon 2-3 libra për një muaj, kërkon ballafaqim me filozofë

Hoxhaj mburret se lexon 2-3 libra për një muaj, kërkon ballafaqim me filozofë

Ministri i Punëve të Jashtme në ikje, Enver Hoxhaj pas disa publikimeve në llogarinë e tij në Facebook ku tregon se cilat libra po i lexon, ka treguar edhe publikisht pasionin e tij të leximit.

Në “Rubikon” Hoxhaj është mburrur se është një lexues i pasionuar.

“Gjatë muajit lexoj ndoshta, mund të përfundoj 2-3 libra”, ka thënë Hoxhaj.

Madje ai ka thënë se librat që lexon janë edhe voluminoz.

“Realisht libri i Kissingerit është 800 faqe por e kam lexuar me pasion”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar Henry Kissingerin një nga diplomatët e njohur duke e quajtur një “fenomen në politikën e jashtme, si mendim”

Duke lexuar biografinë e jashtëzakonshme për Henry Kissingerin nga Walter Isaacson kuptoj se politika nuk është vetëm…

Posted by Enver Hoxhaj on Sunday, 9 July 2017

Hoxhaj ka treguar se është i dhënë pas leximit të filozofisë gjermane duke e quajtur si filozof të preferuar  Jürgen Habermas gjë që e ka ndihmuar të “çlodhet dhe të motivohet për të vazhduar tutje”.

“Haberman është filozofi im i preferuar edhe për tezat e patriorizmit”, ka thënë Hoxhaj.

Pas një jave të lodhshme me shumë aktivitete politike, relaksimi më i mirë për mua është leximi i filozofisë gjermane….

Posted by Enver Hoxhaj on Sunday, 18 June 2017

Ai ka treguar edhe arsyen pse i publikon në Facebook, librat që i lexon duke i shoqëruar edhe me nga një fotografi ku ai shihet duke lexuar.

“Po mendoja se mund të provokoja ndonjë debat në shoqëri”, ka thënë ministri në ikje i Punëve të Jashtme.

Në fund ka pasur edhe një kërkesë për KTV-në, ku transmetohet “Rubikon”.

“Kam dëgjuar që ju e keni një emision për libra dhe mirë është të ftohem të flas për libra dhe kisha pas qejf të ballafaqohem edhe me këta të filozofisë….”, ka thënë Hoxhaj.

Por ka pasur një kusht.

“…. nëse e njohin gjuhën gjermane, sepse Habermasi mund të lexohet edhe në gjuhë të tjera, por mënyra e shkrimit të tij në gjuhën gjermane është e veçantë”, ka thënë Hoxhaj.

E autori i emisionit Adriatik Kelmendi i ka premtuar se do të “intervenoj” që Hoxhaj të jetë i ftuar në emision televiziv për të folur për libra./Insajderi.com

https://youtu.be/PE2J8lLXCks?t=1h16m10s