Hoxhaj: Numri i të infektuarve do ishte më i vogël, sikur të shpallej gjendja e jashtëzakonshme

Hoxhaj: Numri i të infektuarve do ishte më i vogël, sikur të shpallej gjendja e jashtëzakonshme

Enver Hoxhaj, deputet dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se sikur të shpallej gjendja e jashtëzakonshme para pesë javësh në Kosovë atëherë numri i të infektuarve do të ishte më i vogël.

Ai ka lavdëruar mjekët, policinë e shërbyesit e tjerë civilë për luftimin e Covid-19.

“Një punë jashtëzakonisht të mirë kanë bërë mjekët, policia, mësimfhënësit, shërbyesit civilë. IKSHKP-ja, Klinika Infektive kanë treguar se në këtë vend është krijuar një kapacitet i mirëfilltë për të reaguar në situata të tilla”, ka thënë Hoxhaj në KTV. “Në këtë kohë më shumë kanë udhëhequr mjekët. Reagimi mendoj se ka qenë i duhur”.

Sipas tij ka munguar një koncept i menduar mirë.

“Çfarë kanë bërë vendet e tjera është se kanë pasur një koncept afatshkurtër. Dhe mandej kanë bërë plan afatgjatë për pasojat pas pandemisë. E në Kosovë një gjë të tillë nuk e kemi parë. Përkundrazi ka pasur veprime ‘ad-hoc’. Nëse para 5 javësh do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme numri i të infektuarve do të ishte më i vogël. E kjo pasi kontakti do të ishte më i vogël. Qëllimi kryesor ka qenë që të mbyllen kufijtë, të kontrollohen njerëzit dhe të menaxhohej më mirë. Së dyti ka teste pak. Nuk ka pas një qasje të menduar mirë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar se në kohën kur ka shpërthyer pandemia në disa vende evropiane, ka qenë e lehtë e paraparë që qasja e qeverisë do të duhej të ishte më rigoroze, të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe do të ishin bërë më shumë teste.

E kjo sipas tij do të bënte që vendi do të niste të hapej, siç është duke bërë tani Austria.

“Nëse do të kishte koordinim të mirë, një qasje të gjithëmbarshme jam i sigurt se numri i të infektuarve do të ishte më i vogël. E vetmja përparësi të mos liberalizimit të vizave ndoshta ishte që të mos kemi shumë lëvizje. E Qeveria ka marrë vendime që i ka kontestuar Kushtetuesja”, ka thënë ai.

Ai thotë se edhe në kohë të pandemisë duhet të respektohen Kushtetuta dhe ligjet.

“Dhe të ruajmë funksionalizimin e shtetit dhe nëse një qeveri ka mungesë të dijes dhe të vizionit. Përkundrazi se si është sjellë Qeveria vetëm në veri të vendit, duke e dorëzuar pushtetin te zyra e Marko Gjuriqit. E me pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia. E dihet se Serbia është kritikuar shumë për raportin e saj me Kinën e Rusinë. Një pjesë e këtyre ndihmave kanë ardhur pranimi i disa testeve”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se testet nga Serbia s’do t’i pranonte.

“Në asnjë situatë ne nuk do t’i pranonim ato teste. Ajo çfarë ka ndodh në veri, nuk kanë qenë raste të izoluara. Nuk do të duhej që përmes pranimit të këtyre teste t’i jepnin Serbisë kredibilitet e prestigj. Mendoj se gabimi i madh është se ja ka ndërruar imazhin Serbisë. Kur një vend i cili ka qenë në qendër të kritikes ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.