Hoxhaj: Osmani e shkarkoi Dakën me urdhër të Albin Kurtit

Hoxhaj: Osmani e shkarkoi Dakën me urdhër të Albin Kurtit

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me “urdhrin e Albin Kurti”.

Ai tha se Kurti dhe Osmani po tentojnë që të kontrollojnë procesin zgjedhor.

“Vetëm mënyra se si është shkarkuar Valdete Daka është manifestim i një mendësie dhe qasje autoritare. Bëjnë përpjekje që ta kontrollojnë mënyrën e menaxhimit të procesit zgjedhor, bëjnë përpjekje që të kontrollojnë mediet e pavarura, ekonominë e lirë të tregut”, ka thënë ai për Telegrafin.

Partia Demokratike e Kosovës, por edhe dy subjektet e tjera opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikuan shkarkimin e Dakës dhe e cilësuan si “rrezik për demokracinë”.

Madje, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri, ka pohuar se “juristët në PDK janë duke shqyrtuar mundësinë që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”.

Ashtu, edhe Valdete Daka ka deklaruar se “do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore”. /Insajderi.com