Hoxhaj pas takimit me Osmanin: Presidentja të dekretojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Hoxhaj pas takimit me Osmanin: Presidentja të dekretojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ftesës së kësaj të fundit për partitë politikë në mënyrë që të diskutojnë për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale gjatë kësaj vjeshte, njofton Insajderi.

Në këtë takim, të thirrur për dakordimin e datës së zgjedhjeve lokale, Hoxhaj ka paraqitur qëndrimin e PDK-së në lidhje me këtë proces.

Kreu i PDK-së ka kërkuar nga presidentja e vendit që para se të shpallë datën e zgjedhjeve, të angazhohet maksimalisht në kompletimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Mosveprimi i presidentes mund të rrezikoj apo dëmtoj procesin zgjedhor. Andaj, ne kërkuam nga presidentja që të miratoj të drejtën tonë kushtetuese si parti që të kemi dy anëtarë të KQZ”, ka thënë ai.

Sa i përket datës, Hoxhaj ka thënë se presidentja duhet të caktojë një datë që i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së për përgatitjen profesionale të këtij procesi.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga presidentja që të caktoj një datë për zgjedhjet lokale e cila i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së dhe mekanizmave tjerë të përgatisin një proces zgjedhor sa më të mirë”, ka thënë kryetari Hoxhaj. /Insajderi.com