Hoxhaj për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje: Ngulfatje e demokracisë, Kurti dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të reja

Hoxhaj për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje: Ngulfatje e demokracisë, Kurti dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të reja

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se janë të vendosur që të parandalojnë iniciativa sikurse ajo e sotmja e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, njofton Insajderi.

Me anë të një konference për media, Hoxhaj ka kundërshtuar atë çfarë ka ndodhur sot, duke thënë se këto lloje të inciativave e ngulfasin demokracinë e një vendi.

Sipas tij, ngjarja e sotme tregon një mendësi autoritare të pozitës.

“Në vend që të kemi program, e plan të veprimit, e që të ndërmarrim masa për COVID-19. Reforma zgjedhore çdokund është një reform që ndodhë në mes të një dialogut ku palët janë opozita, mazhoranca, shoqëria civile e mediat. Nuk mund të bëhet reform zgjedhore një ligj pa OSBE-së e pa mbështetje të Komisionit të Venecias.  E dini si e ka emrin një proces I tillë – ngulfatje e demokracisë. Ne si PDK në emër të votuesve tanë nuk pranojmë që t’i nënshtrohemi askujt”, ka thënë ai.

Hoxhaj shtoi se kryeministri Albin Kurti, ka frikë nga pushteti, dhe po zgjedhë forma të tilla për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë që është z.Albin Kurti i cili ka frikë nga pushteti e që nuk dëshiron të merr përgjegjësi, e dëshiron ta cojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Përgjegjësi kryesor që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme është vetë Albin Kurti”.

Ai tutje kërkoi nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta thonë fjalën e tyre lidhur me këtë rast.

“Qytetarët e Kosovës kanë votuar për stabilitet e siguri, ata duan që një qeveri e aftë të fillojë t’i zgjidhë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët në kohë të pandmemisë, E ftoj BE-në, OSBE, SHBA-të, ta thone fjalën e tyre për atë se në çfarë drejtimi po lëvizë Kosova”.

I pari i PDK-së gjatë fjalës së tij u shpreh se partia që përfaqëson është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kush e çon vendin në zgjedhjet e reja, jemi të gatshëm. I takon mazhorancës që ta dërgojë në zgjedhje të reja vendin, por edhe partive politike që të mos shpresojnë në ëndrra që nuk ekzistojnë”.

“Ne jemi të vendosur që sot të parandalojmë iniciativa të tilla që përmes reformave zgjedhore mund ta ngulfasin demokracinë. Kjo ngjarje e sotme është një emërues i përbashkët i një mendësie autoritare”, ka thënë Hoxhaj. /Insajderi.com