Hoxhaj: Qeveritë Hoti dhe Kurti dështuan para propagandës serbe

Hoxhaj: Qeveritë Hoti dhe Kurti dështuan para propagandës serbe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se Qeveritë Hoti dhe Kurti po dështojnë para propagandës serbe për monumentet kulturore dhe fetare në vend, njofton Insajderi.

Hoxhaj ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara.

Tutje Hoxhaj ka thënë se pavarësisht këtyre përpjekjeve të Serbisë, qeverisja jonë e PDK-së më anë të diplomacisë ka arritur ta fitojë atë luftë.

“Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara, por ne kemi parandaluar vlerësime të tilla nga institucione me reputacion dhe ne jemi përgjigjur me diplomaci aktive dhe mbështetjen e partnerëve tanë”.

Tutja kreu i PDK-së ka kritikuar se atë që Serbia nuk e ka arritur me vite, tash e realizoi për disa muaj.

Më pas Hoxhaj ka shtruar pyetjen për ish Qeverinë Hoti dhe qeverinë aktuale Kurti, se cilat veprime i keni ndërmarrë për ta ndalur këtë sukses të Serbisë.

“Ne presim nga qeveria aktuale një strategji për t’iu përgjigjur fushatave diplomatike dhe propagandistike serbe kundër Kosovës. Ata duhet të zgjohen për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe të mos heshtin para këtij dëmi që i ndodhi imazhit të Kosovës në Evropë”, ka përfunduar reagimin e tij Hoxhaj./Insajderi.com