Hoxhaj thotë se do të bashkëpunojë me Borellin, ministrin spanjoll që fliste kundër Kosovës

Hoxhaj thotë se do të bashkëpunojë me Borellin, ministrin spanjoll që fliste kundër Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar një shkrim të publikuar në rrjetin social Twitter, i cili fliste për rolin e ministrit të Jashtëm spanjoll, Josep Borrell, në Ballkan.

Hoxhaj, në shpërndarjen e këtij shkrimi të Petrit Selimit, ka thënë se praktika e politikës së jashtmë kosovare është bashkëpunimi, kështu që Kosova do të punojë me Borrell dhe vendin e tij Spanjën.

“Siç e dini, praktika e politikës sonë të jashtme është bashkëpunimi, kështu që Kosova do të punojë me Borrell dhe vendin e tij Spanjën drejt njohjes dhe Integrimit europian për rajonin, por ne gjithashtu do të jemi vigjilent”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Borrell, 72 vjeç, aktualisht ministër i Jashtëm i Spanjës, është rikthyer në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi ka shërbyer si president i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri më 2007.

Ai e ka reputacionin e mbështetësit të Bashkimit Evropian.

Në mars të këtij viti, Borrell ka qëndruar në Beograd, ku ka thënë se Spanja ka qenë kundër “shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe se ajo “nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën”.

“I kemi përsëritur presidentit (të Serbisë, Aleksandar Vuçiq) dhe ministrit (të Jashtëm, Ivica Daçiq) qëndrimin e Spanjës për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, konsiderojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet te zgjidhja e përhershme e kompromisit për këtë çështje”, ka thënë Borrell.