Favori i Zyrës së Kryeministrit për anëtarin e PDK-së

Insajderi ka zbuluar se Naser Canolli, që ende figuron në listën e këshillit drejtues të PDK-së, ka përfituar edhe një favor nga shteti. Zyra e Kryeministrit ka vendosur që t’ia ruaj postin e drejtorit të Gazetës Zyrtare. Canolli ka lënë këtë pozitë pas emërimit në krye të dy ndërmarrjeve publike.

Favori i Zyrës së Kryeministrit për anëtarin e PDK-së

Naser Canolli mban dy pozita publike. Është kryeshef ekzekutiv në “Termokos” dhe anëtar në bordin e ndërmarrjes publike “Aeroporti i Gjakovës”.

Por shteti është kujdesur që Canolli të mos mbetet pa punë, edhe kur i kryen mandatet në krye të këtyre dy ndërmarrjeve publike.

Ka vendosur që t’ia ruaj vendin e punës në Zyrën e Kryeministrit.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë pozitë të rangut të ulët. Atij i ruhet vendi i punës në pozitën e drejtorit.

Canolli ka mbajtur postin e drejtorit të gazetës zyrtare në Zyrën e Kryeministrit deri më 2 nëntor të vitit të kaluar.

Me këtë datë ka nisur punën në postin tjetër menaxherial-kryeshef në “Termokos”. Mandati i tij në këtë pozitë menaxheriale skadon më 2 nëntor të vitit 2018.

Pas tri vitesh planifikon të kthehet në Zyrën e Kryeministrit. Ka bërë marrëveshje për ‘pezullim të dakorduar’, me ZKM-në.

Insajderi.com ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se pse ia ka mundësuar Canollit kthimin në të njëjtën pozitë.

 Zyra për Media e ZKM-së ka dërguar një pjesë të ligjit për shërbimin civil, nenin 68, që flet për pezullimin e dakorduar.

Ligji, sipas ZKM-së, parasheh pezullimin e dakorduar në rast të pushimit pa pagesë, transferimit të përkohshëm në detyra brenda dhe jashtë shtetit, marrjes së detyrës së funksionarit publik dhe kryerjes së obligimeve ushtarake.

“Pas mbarimit të kushtit të pezullimit të dakorduar, nëpunësi civil ruan të drejtën e kthimit në pozitën e mëparshme ose në një pozitë ekuivalente”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të ZKM-së.

Përgjegjëse për zbatimin e ligjit për shërbimin civil është Ministria e Administratës Publike. Kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës Insajderi lidhur me veprimin e Zyrës së Kryeministrit.

Edhe Canolli nuk ka komentuar ‘pezullimin e dakorduar’, kur është pyetur nga Insajderi, nëpërmjet zyrës për media të ndërmarrjes “Termokos”.

Canolli, përveç ruajtjes së postit nga ZKM-ja, ka qenë temë diskutimi edhe për emërimin në krye të ndërmarrjeve publike.

Lëvizja “Vetëvendosje”,kishte kritikuar ardhjen e tij në “Termokos”, duke akuzuar se është i deleguar i PDK-së, në këtë post të rëndësishëm publik.

E kishte quajtur edhe ‘Supermeni i PDK-së’, për shkak të mbajtjes së shumë posteve njëkohësisht.

Ngjashëm kishte pasur reagime edhe kur u emërua në postin e anëtarit të bordit në ndërmarrjen “Aeroporti i Gjakovës”.

Kundër emërimit të tij, dhe tjerëve të ngjashëm me të, ka pasur reagim nga shoqëria civile.

Tri organizatat jo-qeveritare- GAP, Indep dhe GLPS, në një reagim të përbashkët publik patën konkluduar se emërimet politike në bordet e ndërmarrjeve publike janë jo legjitime dhe të jashtëligjshme

“Emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike janë ligjërisht të ndaluara dhe moralisht jo legjitime”, thuhej në reagimin e tyre.

Emërimi i Canollit përmendej në reagim si rast i shkeljes së ligjit për ndërmarrje publike.

Ky ligj, sipas tri OJQ-ve, nuk lejon që të emërohen në borde personat që në 36 muajt e fundit kanë qenë pjesë e organeve drejtuese partiake.

Canolli më 2013 është zgjedhur në pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK-së.

“Këshilli Drejtues, në bazë të Statutit të Partisë Demokratike është “organi më i lartë i partisë“. Rrjedhimisht, statusi juridik i z. Naser Canolli hynë nën dispozitën e nenit 17.2, pika (k) , që ia pamundëson emërimin e tij në këtë pozitë ( anëtar i bordit)”, thuhej në reagimin e tyre.