600 mijë euro tjera për Teatrin e Operës dhe Baletit – Themeli i tij gati i shkatërruar

600 mijë euro tjera për Teatrin e Operës dhe Baletit – Themeli i tij gati i shkatërruar

Nëpër tetë ministra të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që nga viti 2006 ka kaluar projekti i ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, në Prishtinë. Mbi 700 mijë euro të taksa paguesve kosovarë kanë shkuar vetëm për themelin e  këtij objekti i cili që nga viti 2009 ka mbetur vetëm si një gërmadhë. 450 mijë euro ishin ndarë në vitin 2016, kurse nga buxheti i këtij viti janë ndarë edhe 600 mijë euro tjera.

Sot, pas një dekade, ky projekt gurthemeli i të cilit u vu në vitin 2009 nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ka mbet vend ideal për bretkosat, pasi që rreth themeleve që tash ngjajnë si gërmadha e që brenda saj është një gropë që ngjason në moçal. Ndërsa pjesa tjetër është mbuluar me dhe.

Rreth 45 milionë  euro është buxheti total i Ministrisë së Kulturës për këtë vit ndërsa 600 mijë euro janë planifikuar për projektin e Teatrit e Operës dhe Baletit. Projekti ishte në listën e Raportimit Vjetor të ministrit Kujtim Gashi, para Komisionit Parlamentar, shkruan Insajderi.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se kanë nisë sërish procedurat për projektimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan Insajderi.

Para tri viteve 450 mijë euro, u patën ndarë nga ministri i atëhershëm i MKRS-së Kujtim Shala, por pavarësisht kësaj asgjë nuk ishte punuar në këtë projekt.

Tash pas tri vitesh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një përgjigje për Insajderin, kanë thënë se janë në fazën përfundimtarë të shpalljes së konkursit ndërkombëtar për hartimin e projektit dhe vendosjen e kritereve.

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Kujtim Gashi, tha se ditëve në vijim ky konkurs do të shpallet.

“Vendi do të jetë i njëjti, ai pranë Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës. Pasi të kryhen të gjitha procedurat për shpalljen e konkursit ndërkombëtar do të përzgjidhet fituesi për hartimin e projektit dhe pasi të kryhet projekti atëherë do të ketë konkurs tjetër ndërkombëtar për ndërtimin e objektit dhe pastaj do të fillojnë punimet”, tha ai për Gazetën Insajderi.

Hoxha tha, se të gjitha procedurat ligjore do të kryhen në kohën optimale në mënyrë që ky projekt të fillojë së realizuari, pavarësisht kësaj ai nuk ka dhënë ndonjë datë të fillimit të punimeve.

Por Hoxha nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur me 450 mijë eurot që ishin ndarë për këtë projekt në vitin 2016 nga ministri Kujtim Shala.

Rreth një milion euro kanë shkuar vetëm për themelin e Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova” që nga viti 2009 e që tash ajo duket si gërmadhë.

Gjendja aktuale e këtij themeli nuk është hiq e mirë. Aty janë shtrembuar armaturat dhe një pjesë dërrmuese e themelit është mbushur me dhe. Ne mes të atij betoni është një gropë e cila është bërë si moçal dhe mbeturinat nuk mungojnë. Aty duket se armaturat e kanë humbur fortësinë e tyre dhe krejt kjo rrezikon që ato të largohen dhe të zëvendësohen me të reja.

Mos fillimi i punës dhe zvarritja e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, po u kushton shumë artistëve vendor. Filharmonia e Kosovës dhe Trupa e Baletit të Kosovës, janë dy institucionet të cilat vazhdimisht e kërkojnë ndërtimin e këtij teatri dhe ata janë më se të zhgënjyerit në këtë mes.

Filharmonia e Kosovës, mbanë koncertet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, sallë kjo e cila nuk plotëson kushtet aspak për performancat e po ashtu edhe për audiencën që ka ky institucion.

Ndërkaq Trupa e Baletit të Kosovës, funksionon në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Sinan Kajtazi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha për Insajderin se si shkak i mos përfundimit të këtij objekti balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, ka 17 vite që ushtrimet dhe provat i mbajnë në një ambient që nuk ofron as kushtet minimale për punë.

“Zhveshtoret dhe salla e baletit, duke qenë në podrumin e teatrit, përfshihen shpesh herë nga lagështia dhe myku, rrjedhimisht janë edhe të rrezikshme për shëndetin tonë si balerinë”, tha Kajtazi.

Kajtazi tha për Insajderin se shpreson që kësaj radhe të merret seriozisht ndërtimi i këtij objekti.

“Për ne si Balet Kombëtar i Kosovës, ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit, është urgjent. Kushtet më të mira për Institucionin e Baletit Kombëtar, do të rrisnin edhe nivelin e performancës së balerinëve, për arsye se baleti është art i cili kërkon hapësire, që për fat të keq, kjo na mungon në Teatrin Kombëtar, aty ku BKK është themeluar para 47 vitesh”.

“Ne shpresojmë shumë që më në fund të merret seriozisht kjo çështje, sepse Institucionet që me punën e tyre kanë treguar suksese si në Kosovë, por edhe jashtë vendit, meritojnë trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë Kajtazi për Insajderin.

Rikujtojmë se vendimi për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte marrë në vitin 2006 në kohën kur MKRS, drejtohej nga Astrit Haraqija, ku edhe ishte vendosur për projektin ideor për ndërtimin e objekti dhe vendin e ndërtimit.

Në vitin 2009 ishte arritur që të organizohet ceremonia e vënies së gurthemelit. Nisën punimet ku u dhanë mbi 700 mijë euro.

Gjatë tërë këtyre viteve projekti kaloi nëpër duart e gjithë këtyre ministrave. Skënder Hysenin i cili ishte ministër gjatë viteve  2007 -2008, pastaj Valton Beqirin në vitet 2008 -2010, Lutfi Haziri në vitin 2010, Memli Krasniqi i cili kishte mandat që nga viti 2011 – 2014, Kujtim Shala nga 2014 – 2017, Vlora Dumoshi – 2017 dhe tash e dy vite Kujtim Gashi. /Insajderi.com