763 mijë Eurot e Shtetit që Fuqizuan Kompaninë e Nipit të Adem Grabovcit

Insajderi ka zbuluar se një kompani private ITK, e drejtuar nga nipi i Adem Grabovcit, ishte fuqizuar me qindra mijëra euro nga Ministria e Transportit, përgjatë kohës sa protagonisti kryesor i “Dosjes së Shefave” mbante postin e zv/ministrit. Nazmi Grabovci është drejtor i kësaj kompanie ndërsa aksionarë tjetër është Besim Shurdhaj, një i njohur i ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limajt dhe shofer i Grabovcit gjatë viteve 2009-2010.

763 mijë Eurot e Shtetit që Fuqizuan Kompaninë e Nipit të Adem Grabovcit

Ishte gushti i vitit 2009- Adem Grabovci po mbushte një vit e gjysmë në postin e zëvendës ministrit në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Ishte vartës i Fatmir Limajt në dikasterin qeveritar që shpenzonte më së shumti para në tenderë. Përafërsisht mbi 100 milionë euro.

Përgjatë kësaj kohe, në familjen e tij gjërat kishin lëvizur në drejtim të fuqizimit financiar.

Në gusht të po atij viti kompania International Trafic Kosova (ITK), ku është hisedar nipi i tij, Nazmi Grabovci, kishte bërë një vit jetëgjatësi.

Dhe pikërisht në këtë muaj, para shtatë vjetësh, kompania e Nazmiut do të niste rrugëtimin e përbashkët me Ministrinë, ku Adem Grabovci mbante post të lartë.

Kishte fituar 763 mijë euro nga kjo Ministri. Ishte shpallur fituese në dy pjesë (lote) të tenderit të emërtuar “Sinjalizimi në rrjetin rrugor magjistral dhe regjional të Republikës së Kosovës”.

Bazuar në njoftimin për dhënie kontrate, të publikuar në faqen zyrtare të KRPP-së, njëri lot peshonte 399 mijë e 636 euro, ndërsa tjetri peshonte 363 mijë e 974 euro.

Por kompania e udhëhequr nga Nazmi Grabovci nuk do të ndalej me kaq.  Do të fitonte më pas edhe tenderë tjerë publikë, duke shtrirë rrjetin e klientëve në katër komuna – në njërën prej tyre të kontrolluar nga PDK-ja – si dhe te tri kompani private që kanë përfituar tenderë të mëdhenj nga pushteti i PDK-së.

Grabovci dhe Ministria e Infrastrukturës nuk komentojnë tenderët e fituar nga kompania ITK

Insajderi ka pritur gati një muaj përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me këtë tender.

Ministria është pyetur se cilat kritere i kishte plotësuar kjo kompani kur ishte shpallur fituese në gusht të vitit 2009.

Po ashtu, është pyetur se si ndodhi që pikërisht kompania që drejtohej nga nipi i zv/ministrit të atëhershëm të fitonte tender publik që peshon qindra mijëra euro.

Ministria e Infrastrukturës nuk i është përgjigjur asnjërës pyetje.

Ngjashëm ka vepruar edhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai është pyetur nga Insajderi se si ndodhi që gjatë vitit 2009 kompania e nipit të tij të fitonte tenderët publikë të Ministrisë në të cilën kishte post të lartë.

Nuk ka dhënë përgjigje, ndonëse Insajderi ka pritur për më shumë se tri javë.

Ai ishte emëruar në postin e zv/ministrit më 31 dhjetor të vitit 2008. Kishte dhënë dorëheqje më 2010.

Ndërkohë, përgjigje nuk ka dhënë as Nazmi Grabovci dhe kompania International Traffic Kosova (ITK).

Kompania ITK, pas fuqizimit me 700 mijë eurot e para, kishte vazhduar të përfitonte edhe tenderë tjerë nga kjo Ministri, edhe pas dorëheqjes së Grabovcit më 2010.

Saktësisht më 24 shtator të vitit 2010 kjo kompani u shpall fituese në tenderin e emërtuar “Sinjalizimi vertikal dhe horizontal në rrjetin rrugor nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës”.

Loti i tretë i këtij tenderi i takonte ITK-së, që kërkoi 272 mijë e 833 euro për kryerjen e këtij shërbimi, bazuar në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Edhe në vitin pasues, më 1 nëntor 2011, kjo kompani do të shpërblehej me tender publik.

Do të fitonte njërin prej loteve të tenderit të emërtuar “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2011-ndarë në tetë lote”.

Loti i fituar nga firma e udhëhequr nga Nazmi Grabovci peshonte 194 mijë euro.

Ministria e Infrastrukturës kishte marrë vërejtje nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për marrjen e vendimit që shpallte fitues kompaninë ITK.

“Loti i katërt i kontratës ishte nënshkruar me kompaninë që kishte ofruar çmimin në vlerë prej 194,003 eurosh, ndërsa oferta me çmim më të ulët ishte në vlerë 155,378 euro”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Kompania e nipit të Adem Grabovcit ka për klientë komuna, ministri dhe kompani tenderuese

Kompania e udhëhequr nga Nazmi Grabovci, përveç Ministrisë së Infrastrukturës, pasardhëses së Ministrisë së Transportit, pohon se ka edhe disa klientë tjerë, duke realizuar projekte të ndryshme publike.

Një prej projekteve të implementuara është emërtuar “Sinjalizimi ne rrjetin rrugor magjistral dhe regjional të Kosovës 2008 – Sinjalizimi Horizontal dhe Vertikal në mbi 300 km rrugë”.

Një projekt tjetër quhet “Sinjalizimi në rrjetin rrugor magjistral dhe regjional të Kosovës 2009 – Mbi 400 km rrugë të sinjalizuara”.

Po ashtu, kompania pohon se ka bërë sinjalizimin e përkohshëm të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, përkatësisht pjesën nga Fushë-Kosova deri në Sllatinë.

Kompania thotë se në vitin 2010 ka kryer sinjalizimin në 400 kilometra rrugë të rrjetit rrugor magjistral dhe regjional.

Përveç këtyre projekteve, kompania më 2010 ka kryer edhe sinjalizimin horizontal dhe vertikal në qytetin e Klinës.

itk-klient

Pas nisjes së mbarë me Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, paraardhëse e Ministrisë së Infrastrukturës, kjo kompani arriti ta zgjerojë rrjetin e klientëve.

Në faqen e saj në internet ka shënuar se ka tetë të tillë.

Ministrinë e Infrastrukturës ende e shënon si MTPT, ndonëse i është ndërruar emri që disa vjet.

Përveç Ministrisë, si klientë të ITK-së figurojnë edhe Komuna e Klinës, Istogut, Mitrovicës, Graçanicës, si dhe tri kompani private.

Klientë privatë të ITK-së janë kompania Eurofamis, Delia Group dhe Graniti.

Prej klientëve privatë, Delia Group kishte fituar një tender milionësh të diskutueshëm nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, gjatë kohës sa drejtohej nga Fatmir Limaj.

Në kohën kur Delia Group u shpall fituese në tenderin multi-milionësh, përfaqësues i saj për Kosovë ishte Haxhi Shala.

Shala dhe Limaj njihen moti mes vete. Janë nga i njëjti fshat – Banjë e Malishevës, kanë qenë të afërt në kohën e luftës dhe janë afër njëri-tjetri edhe në politikë.

Shala është deputet i Nisma për Kosovës, subjekt politik që udhëhiqet nga Fatmir Limaj.

Endrit Shala, ish-shef i kabinetit të Limajt, gjatë kohës sa ishte ministër, ka mohuar vazhdimisht se stafi politik përzihej në tenderët që jepeshin nga Ministria e Transportit, përfshirë edhe tenderët e fituar nga kompania ITK.

Përveç Nazmi Grabovcit, aksionarë në këtë kompani janë edhe Visar Muriqi dhe Besim Shurdhaj.

I dyti kishte punuar si vozitës i Adem Grabovcit, përgjatë kohës sa ai mbante postin e zv/ministrit.

Shurdhaj njihet edhe me Fatmir Limajn, ish-ministër i Transportit. Janë nga i njëjti fshat-Banjë e Malishevës dhe janë shokë të luftës.  Madje, të dytë ishin pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte.

Shurdhaj, po ashtu, ishte shofer i Grabovcit gjatë viteve 2009-2010 kur ushtronte postin e zv/ministrit të Transportit. Grabovci, po ashtu, ka miqësi me vëllain e tij, Fatmir Shurdhajn,  ish-zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Insajderi ka publikuar bisedën mes Adem Grabovcit dhe Fatmir Shurdhajt. Ata merren vesh që një anëtar të PDK-së ta rehatojnë në bordin e një ndërmarrje të ujërave.

Biseda në mes të Adem Grabovcit dhe ish-zv.ministritBesim Shurdhaj, vëllait të shoferit të Adem Grabovcit. 

Megjithatë, prej tre aksionarëve përgjegjësinë më të madhe e ka Nazmi Grabovci. Ka rolin e drejtorit në këtë kompani.

Pozitë menaxheriale në këtë kompani për disa vjet kishte mbajtur edhe Gelor Shala, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Trainkos”. Ai është mik me Grabovcët. Gruaja e Nazmi Grabovcit është nga familja e Gelor Shalës.

Para se të bëhej kryeshef në “Trainkos”, Gelor Shala kishte mbajtur postin e anëtarit të bordit në KKDFE, Kompania Kosovare për Furnizim të Energjisë. Ky ishte një trup mbikëqyrës me mandat pesëmuajsh. Ishte krijuar nga Qeveria e Kosovës për të kaluar përgjegjësitë nga KEK-u te pronari i ri i KEDS-it.

Gazeta Jeta në Kosovë, në janar të vitit 2015, kishte raportuar për emërimin e Gelor Shalës në postin kryesor të ndërmarrjes “Trainkos”.

Protagonisti kryesor i “Dosjes së Shefave”, Adem Grabovci, që ka luajtur rol kyç në emërimet në borde të ndërmarrjeve publike, kishte mohuar se kishte ndikuar në rastin e Gelor Shalës.

“Po çka me intereson mua ajo punë, as nuk e di kush është zgjedh, as kush ka qenë, hiq so ka më intereson, hiq..”, kishte pohuar Grabovci, në janar të vitit 2015./ Insajderi.com