fbpx

Bomba, vrasje, haraç – rrëfimi i Besarta Kastratit për një seri krimesh në Pejë

Emri i Salih Kastratit lidhet me shumë ngjarje në Pejë. Ai është vrarë më bombë. Vajza e tij thotë se u vra për haraç. Mirëpo, vetë Kastrati bashkë me vajzën dhe djalin dyshohet se ka dorë në vjedhjen e 25 kilogramëve ari në stacionin policor në Pejë. Të dyshuar janë edhe disa policë, përfshirë Ragip Bytyqin. Vajza e tij thotë se të gjitha këto janë montime për ta detyruar të heqë dorë nga e vërteta për vrasjen e të atit, i cili u kishte mbijetuar 8 atentateve paraprakisht.

Bomba, vrasje, haraç – rrëfimi i Besarta Kastratit për një seri krimesh në Pejë

Një grup personazhesh në Pejë janë të përfshirë në seri vrasjesh, vjedhjesh, sulmesh me bomba, haraç, shantazh, zhdukje provash.

Gjithë kjo sillet rreth biznesmenit tashmë të ndjerë, Salih Kastrati.

Ai është vrarë me bombë vite më parë. Një kohë të gjatë ai u kishte paguar haraç grupeve të fuqishme të lidhura me kryeministrin, Ramush Haradinaj, dhe dekanin e Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku.

Kastrati u vra pak ditë pasi refuzoi t’i jepte 500 mijë euro haraç grupit të Bedri Krasniqit, i dënuar për vrasjen e policëve Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, për kidnapimin e biznesmenit Azem Morina. Po ashtu është i akuzuar për vrasjen e dy policëve në vitin 2004 afër Podujevës.

Vajza e Salih Kastratit që ka zbuluar shumë prej këtyre krimeve, është e dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Fidan Shabit.

Në një rrëfim të gjatë për Insajderin, ajo e mohon ta ketë kryer këtë krim. Thotë se vrasjen e ka kryer Arian Lluka. E akuzon policin Ragip Bytyçi që qëndron prapa krimeve në Pejë dhe montimit të rastit të saj.

Ndërkohë, Ragip Bytyqi, Besarta Kastrati – Harxhi, vëllai i saj Kastriot Kastrati, Arian Lluka, Jusuf Idizaj, Elton Arifaj dhe Xhemë Gashi janë nën hetime për vjedhjen e 25 kilogramëve ari në dhomën e dëshmive në Policinë e Pejës në vitin 2012.

Këtij lëmshi nuk po mund t’i gjejë fill askush. Në këtë mënyrë, rastet janë trajtuar veç e veç, ani se shumë personazhe janë të njëjtë. Thuajse të gjitha janë të pa zbuluara, përveç vrasjes së Fidan Shabit.

Besarta Kastrati – Harxhi, thotë se të gjitha sulmet kundër të atit të saj i ka mbuluar hetuesi, Ragip Bytyqi.

E, vrasjen e Fidan Shabit thotë se e ka detyruar ta marrë përsipër pas kërcënimeve që kishte marrë nga Arian Lluka. Thotë se e kishte kërcënuar se do t’ia vriste vajzën pesë vjeçe dhe vëllanë, Kastriotin.

“Kam qenë e detyrime me pranu prej Arian Llukës. Kur jam arrestu e kam mohu dhe kam tregu se kam qenë e detyrime. Askush më nuk më ka dëgjuar. Me ligj nuk mund të dënohesh me deklaratë vetëakuzuese pa prova tjera. Kundër meje nuk ka asnjë provë. Provat me shfajësojnë”, thotë ajo.

Vajza e Salih Kastratit: Ethem Çeku na i mori 50 mijë marka haraç

Besarta insiston se Fidan Shabin, për të cilin është dënuar me 25 vjet burgim, nuk e ka kryer ajo. Nuk kishte asnjë motiv për një gjë të tillë.

Përmend dy kontradikta në aktgjykim, që sipas saj janë motivet. Njëri motiv sipas Gjykatës është se Besarta e ka kryer vrasjen në shenjë hakmarrjeje për shkak të siç thuhet “dhunimit seksual që i ka bërë Fidan Shabi”, dhe motivi i dytë për “shkak të dyshimit se Fidan Shabi ia ka vrarë të atin me bombë”.

“Në aktgjykim shkruan se unë jam dënu për hakmarrje për babën, e u marr për bazë deklarata ku mu m’ka dhunu Fidan Shabi edhe unë jam hakmarrë”, shton ajo.

Përmend provat të cilat nuk e bëjnë fajtore atë. Përmend kamerat e sigurisë të cilat në asnjë vend nuk e kanë regjistruar atë, qoftë në vendin e krimit, as në vende tjera.

Besarta tregon se gjatë leximit të deklaratave pas arrestimit e ka kuptuar se Arian Lluka ka qenë shokë i ngushtë me Fidan Shabin, të cilët kanë hedhur bombë para lokalit të Tahir Dacit.

E dënuara për vrasje zbulon lidhjet e Arian Llukës dhe hetuesit, Ragip Bytyqi me Princ Dobroshin, një i dënuar në Çeki. Ajo tregon se ka marrë kërcënime në burg nëpërmjet të dënuarës, Ardiana Gorani.

Pas këtij mesazhi kërcënues, ajo kujton kohën kur në 2012-ën ishte përmendur emri i Princ Dobroshit nga Arian Lluka.

“Në 2017 po më përmendet Princ Dobroshi prej Ardiana Goranit. Po me çon selam në burg. Pse po më çon selam? Pse po më përshëndet? Në korridor Ardiana Gorani më ka thënë se i kallxoj Princ Dobroshit çka je tu bo ti. Princ Dobroshi nanën ty ta rrotullon”, shton ajo.

Besarta tregon kur Ardiana Gorani, ka hedhur detergjent domestos në ushqim me qëllim të helmimit të saj. Beson se këtë e ka bërë për të mos folur rreth vrasjes së të atit, vrasjes se Fidan Shabit dhe për të mos folur rreth vrasjes së të atit, dhe haraçit që është detyruar të paguaj i ati i saj.

Besarta tregon se nga Amerika ishte kthyer pas plagosjes së të atit. Atje jetonte prej tri vjetësh. Ajo ishte arrestuar një muaj pas vdekjes së të atit, më 8 maj 2012, pas dyshimeve që ishin ngritur në lidhje me zhdukjen dhe pastaj vrasjen e Fidan Shabit.

“Vrasja e Shabit është kryer nga Besarta për qëllime hakmarrëse pasi që ajo mendonte se ai ishte një ndër personat që hodhi bombën e dorës në oborrin e shtëpisë së babait të saj, me pasojë vdekjen e këtij të fundit”, pretendonte Prokuroria.

Fidan Shabi ishte zhdukur më 1 maj 2012. Ishte gjetur i vrarë më 12 maj 2012 në një banesë private, afër ish-stacionit të trenit në Pejë.

Dy të dënuarit, Besarta Kastrati dhe Arian Lluka kanë lidhje familjare.

Prokuroria thotë se më 1 maj 2012 rreth orës 19:30, Besarta kishte kontaktuar përmes mesazheve telefonike me viktimën Fidan Shabi me ç’rast ishin dakorduar të takoheshin në mesnatë në banesën e saj e cila ndodhet afër stacionit të trenave në Pejë.

Besarta i kishte premtuar Fidanit se do të kishin marrëdhënie seksuale.

“Ajo e fton Fidanin që të ngjiten në tavanin e banesës dhe aty në mënyrë të paskrupullt nxjerr revolen dhe qëllon të ndjerin disa herë në kokë dhe në trup”, pretendon Prokuroria.

Më pas, sipas Prokurorisë, Besarta thërret Arian Llukën, i mitur asokohe, dhe së bashku mbulojnë viktimën me qese plastike dhe me batanije dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Besarta Kastrati – Harxhi kishte dhënë disa deklarata të ndryshme lidhur me dyshimin për vrasjen e Fidan Shabit.

Në deklaratën e saj të parë të dhënë më 8 maj 2012 në polici, ajo ishte mbrojtur në heshtje duke mos pohuar apo mohuar kryerjen e veprës penale.

Katër ditë më vonë, më 12 maj, ajo kishte pranuar se kishte vrarë Fidan Shabin sepse, sipas saj, ai e kishte dhunuar në tetor të vitit 2011 por se rastin nuk e kishte paraqitur në polici shkaku i familjes.

Të njëjtën deklaratë ajo e ka përsëritur disa javë më vonë, përkatësisht më 29 maj dhe 26 qershor në prezencën e avokatëve mbrojtës.

Më vonë, Kastrati – Harxhi ka mohuar të ketë vrarë Fidan Shabin dhe është arsyetuar se kishte pohuar të kundërtën më herët sepse kishte qenë e “traumatizuar”.

Ajo ka deklaruar në organin e akuzës se ditën kur dyshohet të jetë vrarë Shabi ajo së bashku me vajzën e saj dhe familjarët e tjerë ndodhej në piknik në Rugovë ku kishte shkuar herët më mëngjes dhe ishte kthyer rreth orës 18:00.

Me të në piknik ka thënë se ishte edhe i afërmi i saj Arian Lluka. Pasi kishte shoqëruar mysafirët pas kthimit nga pikniku, Besarta kishte rënë në gjumë së bashku më vajzën e saj. Ka thënë se Arian Lluka e kishte zgjuar dhe i kishte thënë se duhej të dilnin bashkë.

Ekskluzive: Videodëshmi – si u vra biznesmeni nga Peja pak ditë pasi refuzoi të jepte 500 mijë euro haraç

Lluka nuk ishte përgjigjur pyetjes së saj se ku do të shkonin por Besarta i ishte bindur dhe së bashku kishin dalë në veturë dhe sipas urdhrit Llukës ajo kishte ndalë veturën tek “Frizer Agroni”.

Aty, Arian Lluka kishte dalë nga vetura dhe ajo e kishte pritur deri në ora 02:30 të mesnatës derisa ai ishte kthyer dhe së bashku kishin shkuar në shtëpinë e të ndjerit Salih Kastrati.

Gjysmë orë më vonë, Besarta ka thënë se kishte dëgjuar të shtëna nga ballkoni i shtëpisë dhe kishte vërejtur së ishte Arian Lluka që kishte shtënë me armë.

Gjysmë ore më vonë, ajo kishte rënë për të fjetur dhe “nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur më pas”.

Nga tërë deklarata e Besartës, Arian Lluka kishte konfirmuar vetëm shkuarjen në piknik ndërsa ka vazhduar me deklarata që kanë kundërshtuar ato të pandehurës.

“Rreth orës 23:00 bashkë me Besartën kemi dalë me ble bukë sepse nuk kishte në shtëpi”, kishte deklaruar Lluka.

“Kur kemi shkuar tek ‘Frizer Agoni’ Besarta më ka thënë të pres aty”, ka vazhduar ai.

Ai ka deklaruar se e ka pritur të pandehurën një kohë dhe kur ishte nisur të largohej nga vendi ajo e kishte telefonuar. I pandehuri e kishte marrë dhe kishte vërejtur se ajo me vete kishte dy qese plastike njërën prej të cilave e kishte hedhur në kontejner të mbeturinave rrugës derisa ktheheshin në shtëpi.

Në mes të orës 19:24 dhe 01:04 pas mesnate sipas Prokurorisë, Besarta kishte kontaktuar me Shabin gjashtë herë. Tri telefonatat e para, sipas prokurorisë, janë bërë nga qendra e qytetit, telefonata tjetër është bërë nga lagjja Kapeshnicë ndërsa telefonatat tjera janë bërë përsëri nga qendra e qytetit, afër shkollës “Tetë Marsi”.

Sipas thirrjeve telefonike të Prokurorisë, Besarta është kontaktuar nga Arian Lluka, telefonatë kjo që ka zgjatur vetëm 4 sekonda dhe që tregon që ai atë kohë ndodhej në rrugën “Mic Sokoli”.

Besarta, kategorikisht mohon ta ketë kryer vrasjen. Insiston se nuk ka ditur se çfarë ka bërë Arian Lluka, natën e vrasjes. Thotë se ajo e ka pritur në veturë.

“Unë s’kam ditë ku jam t’u shku. Arian Lluka si zakonisht më ka than a ka mundësi mem prit se e kam një punë, edhe pse u kanë vonë, unë e kam prit, po unë nuk e kam ditë çka është t’u ndodh. Ajo është e vërtetime. E kanë vërtetu edhe kamerat, e kanë mbështet edhe fjalën time”, ka thënë ajo.

“Fidan Shabin e Arian Llukën i ka lidh shoqëria, i ka lidh krimi”, thotë ajo.

Vijon:

Detaje ekskluzive të vjedhjes së arit në stacionin policor të Pejës. Kush janë të dyshuarit? Çfarë ka zbuluar Inspektorati Policor në këtë vjedhje? Sa prova materiale janë zhdukur aty? A po përpiqet të mbulohet zhdukja e provave me vjedhje të arit?