“Dy duar janë për një krye” – përplasja mes profesorëve në Fakultetin e Bujqësisë

Pushimi i lehonisë së profesoreshës në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Blerta Mehmeti, ka bërë që disa profesorë brenda këtij fakulteti të përplasen deri në kërcënime e ofendime mes tyre për mbajtjen e orëve të saj. Kësaj i kishte paraprirë një marrëveshje mes Blerta Mehmetit dhe profesorit Skender Muji, për mbajtjen e disa orëve të saj, pasi ajo e kishte kërkuar një gjë të tillë për shkak të ngarkesës së madhe.

“Dy duar janë për një krye” – përplasja mes profesorëve në Fakultetin e Bujqësisë

Në një ankesë të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, profesori Skender Muji ka bërë ankesë në Këshillin Etik të Universitetit ndaj dy profesorëve të këtij fakulteti, Afrim Hamidi dhe Driton Sylejmani. Në këtë ankesë profesor Muji pretendon se ata e kanë kërcënuar, diskriminuar, fyer e njollosur.

Përmes ankesës, Muji ka treguar ngjarjen se si ka ardhur deri te kërcënimi ndaj tij.

Sipas tij, krejt kjo nisi disa muaj pas dakordimit mes tij dhe Blerta Mehmetit për mbajtjen e orëve të saj, për të cilën gjë Muji thotë se ishte informuar edhe shefja e departamentit, Alltene Kryeziu dhe prodekani për mësim, Mentor Thaqi.

Muji thotë se pas disa muajve të mbajtjes së orëve të Blertës, kjo e fundit i kishte telefonuar atij duke i thënë se ka marrë kërcënim prej profesorëve Afrim Hamidi dhe Driton Sylejmani.

“Më 24.04.2018 në mëngjes rreth orës 8:13 minuta më merr në telefon shumë e shqetësuar nga telefonatat e marrura nga profesorët e lartcekur. Sipas saj, nga të apostrofuarit është kërcënuar në lidhje me mbajtjen e orëve të mësimit në lëndën Mikrobiologji duke e akuzuar se ‘pse më ka lënë mua të vazhdoj me orët e mbetura edhe 4 cilke të ligjëratave'”, thuhet në ankesën e Skender Mujit drejtuar Këshillit Etik të Universitetit.

Pas kësaj, Muji e kërkon prodekanin për mësim, Mentor Thaqi, për t’ia rrëfyer rastin. E kishte kërkuar disa herë në zyrën e tij, por thotë të mos e ketë gjetur.

Disa ditë më vonë ndodhi takimi. Megjithatë, takimi nuk kishte shkuar edhe aq mirë. Aty ishin paraqitur dy profesorët për të cilët Muji pretendon se e kanë kërcënuar Blerta Mehmetin përmes telefonit.

“Pas kryerjes së provimeve shkova edhe njëherë në dekanat dhe për fat të mirë e takova prodekanin për mësim prof. Mentor Thaqi, i tregova që e kisha kërkuar disa herë dhe fillova të shprehi indinjatën time me sjelljen e kolegëve të lartshënuar. Në bisedë e sipër, prof. Afrim Hamidi e hap derën e zyrës dhe me sheh se jam duke biseduar me prodekanin për mësim, Mentor Thaqi, e mbylli derën dhe u largua”, thuhet në ankesën e profesorit Muji.

Por, pak minuta më vonë, profesori Driton Sylejmani kishte hyrë në zyrën e prodekanit Thaqi duke e kërcënuar atë, pretendon Muji.

“Papritmas, pas 2-3 minutave në zyrë hyn prof. Driton Sylejmani pa asnjë paralajmërim duke ndërhyrë në bisedën tonë në mënyrë arbitrare dhe me drejtohet me fjalët ‘Kush je ti?’, ‘Çka po don?’, ‘Kush po mendon se je këtu?'”, ka shtuar ai.

Driton Sylejmani është profesor i asocuar i Veterinarisë dhe bartës i lëndës Mikrobiologji, për të cilën ishin përplasur profesorët.

Profesor Muji thotë t’ia ketë bërë me dije Dritonit se nuk është aty për të biseduar me të, por me prodekanin Mentor Thaqi. Sipas tij, biseda kishte vazhduar e tillë. Më pas Muji e lëshon zyrën. Pas daljes së korridor, Muji thotë ta ketë takuar prof. Afrim Hamidin, prej të cilit thotë se marrë fjalë fyese.

“Pasi prodekani për mësim nuk ndërhyri, e ndërpreva bisedën dhe u nisa të dal nga zyra dhe papritmas në paradhomë të zyrës e shohë prof. Afrim Hamidin duke pritur aty i cili filloi menjëherë me fjalë fyese jashtë çdo etike dhe respekti profesional dhe njerëzor”, ka shtuar Skender Muji.

Profesori Afrim Hamidi është profesor i rregullt i Mjekësisë Veterinare, dhe njëkohësisht mban pozitën e prodekanit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Muji thotë se fjalosjen me Dritonin e kishte vazhduar edhe në korridor, i cili, sipas tij, i kishte thënë se të martën do ta shohë se kush e mban ligjëratën.

“Unë kërkova nga prodekani Mentor Thaqi që të ndërhyjë dhe ta rregulloj këtë çështje në mënyrë që mos të ndodh ndonjë e papritur apo skandal para studentëve dhe ta ruajmë imazhin e fakultetit”, ka shkruar Muji në ankesën drejtuar Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës.

“Dy duar janë për një krye”, u kishte thënë Muji profesorëve në korridor.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga prodekani për mësim, Mentor Thaqi, në zyrën e të cilit kishte ndodhur kjo përplasje, por ende nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu, gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga dy profesorët e apostrofuar – Afrim Hamidi dhe Driton Sylejmani, por ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës.

Në letrën e Mujit ishte përmendur edhe Shefja e Departamentit, Alltane Kryeziu se gjoja ajo ka qenë në dijeni të kësaj marrëveshjeje për orët, por këtë e ka mohuar ajo.

“Rasti për të cilin keni siguruar është e vërtetë që ka ndodhë në mes profesorëve në fjalë. Ndërsa sa i përket meje unë nuk kam qenë asnjëherë (aspak) e informuar rreth mbajtjes së orëve. Kështu që, nuk kisha dashur që të përfshihet emri im rreth kësaj ndodhie sepse nuk jam konsultuar fare nga askush”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për Insajderin.

“Mbajtja e orëve nuk është përgjegjësi e imja por është përgjegjësi e Menaxhmentit të Fakultetit, dhe për këtë arsye nuk më përket mua të merrem rreth angazhimit për orët e mbajtura të mësimit”, ka shtuar ajo.

Edhe Afrim Hamidi kishte ushtruar ankesë për kërcënim ndaj tij

Profesori Afrim Hamidi emri i të cilit ishte apostrofuar në ankesën e Skender Mujit, ishte ankuar me pretendime të ngjashme – për fyerje dhe kërcënim në vendim e punës nga Skender Muji.

Ankesa e tij ishte bërë më 27 prill dhe i ishte drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Dema. Profesor Hamidi në ankesën të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, pretendon se Skender Muji në gjendje të dehur kishte shkuar ta takojë atë për të biseduar rreth mbajtjes së orëve të Blerta Mehmetit.

“Skender Muji, i cili së pari në gjendje shumë të dehur dhe me tone të larta filloi të bërtas dhe akuzojë pa asnjë arsye dhe në kulmin e kësaj mua personalisht më ka fyer nënën dhe është kërcënuar se në ligjëratën e ardhshme nuk ka njëri që do ta ndalojë në mbajtjen e mësimit dhe është kërcënuar se kjo do të përfundojë me një kufomë duke iu drejtuar prof. Driton Sylejmanit”, thuhet në ankesën e profesor Hamidit.

Ai e ka akuzuar Mujin se marrëveshjen për mbajtjen e orëve e ka bërë në mënyrë interne. Madje thotë se Muji nuk ka as thirrje për ta ligjëruar atë lëndë.

“Kjo lëndë në këtë semestër ishte paraparë të mbahej nga kolegia znj. Blerta Mehmeti por ajo për arsye të kalimit në pushim të lehonisë kishte bërë një marrëveshje interne që kolegu z. Skender Muji të mbajë mësimin pa informuar dekanin dhe prodekanët përkatës”, thuhet në ankesën e Hamidit kundër Mujit.

Insajderi ka kontaktuar edhe me profesorin Skender Muji, për të marrë më shumë detaje rreth rastit. Por ai ka sugjeruar që të kontaktohet dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Skender Kaçiu.

“Ju lutem kontaktoni dekanin e fakultetit, unë nuk kam asnjë koment, për të gjitha ju informon dekani Skender Kaçiu”, thuhet në përgjigjen e Mujit për Insajderin.

Kurse Kaçiu e ka konfirmuar rastin për Insajderin, duke thënë se janë tejkaluar këto probleme.

“Është e vërtetë se ka ndodh një  fjalosjeje nё mes tё disa kolegёve tanë qё mё vonë ka prodhuar edhe disa reagime tё momentit nga tё dy anët (ankesa në Këshillin e Etikës tё UP). Unë i kam takuar të gjithë të apostrofuarit në këto ankesa dhe janë tejkaluar mosmarrëveshjet që kanë ekzistuar”, ka thënë dekani i fakultetit, Skender Kaçiu.

Ndërkaq, për Insajderin ka folur edhe Blerta Mehmeti, orët e të cilës u bënë shkak i përplasjes mes profesorëve.

“Lidhur me rastin e lartpërmendur ne kemi arritur marrëveshje dhe çështja është zgjidhur”, ka thënë Mehmeti.

Meqë ankesa e Afrim Hamidit dhe e Skender Mujit ishin drejtuar në Rektorat, Insajderi ka kërkuar të dijë më shumë për këtë rast nga Rektorati për masat që janë ndërmarrë, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Profesorët: Nuk është rasti i parë që Afrim Hamidi shkakton probleme

Në një ankesë të Departamentit të Bioteknologjisë dhe Zooteknikës në Fakultetin e Bujqësisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se nuk është hera e parë që profesor Afrim Hamidi shkakton telashe të tilla.

“Pas njoftimit nga prof. Skender Muji rreth ndodhjes së këtij incidenti, më ç’rast anëtarët e Departamentit të indinjuar nga kjo ngjarje shprehim shqetësimin ndaj profesorëve të lartpërmendur, sidomos prof. Afrim Hamidi (prodekan FBV), meqenëse ky nuk është incidenti i parë që ai ka shkaktuar në raport edhe me profesorët tjerë”, thuhet ndër tjera në ankesën drejtuar Këshillit Etik të UP-së që mban nënshkrimin e tetë profesorëve të Departamentit.

“Ne jemi të sigurt se ka edhe profesorë dhe punëtorë të tjerë brenda Fakultetit që kanë pasur konflikte dhe mosmarrëveshje të njëjta me prof. Afrim Hamidin”.

Kjo ankesë është dorëzuar më 16 maj të këtij viti./Insajderi.com

Ankesa e Skender Mujit

Ankesa e Afrim Hamidit

Ankesa e profesorëve kundër Afrim Hamidit