Gjykata e fsheh aktakuzën kundër djalit të ministrit të Punëve të Brendshme

Më shumë se gjashtë vjet nuk është prekur një aktakuzë kundër Besian Gashit, djalit të ministrit të Punëve të Brendshme Bejtush Gashi dhe katër personave tjerë. Pak muaj para afatit të parashkrimit lënda i është ndarë gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Agim Kuçi. Ai kishte marrë vendim që aktakuzën ta refuzonte për shkak të parashkrimit. Besian Gashi akuzohej për tri vepra penale: vjedhje, mashtrim dhe keqpërdorim i kartelave bankare. Ai e ka pranuar në Prokurori se ka falsifikuar kartela. Ai kishte bashkëpunuar me njerëz në Gana e Vietnam. Nëna e tij Ajna Gashi, e cila është administratore në Gjykatën Supreme, e ka mohuar të ketë ndikuar që lënda kundër djalit të saj të parashkruhet. Ministri Gashi nuk ka folur për këtë rast.

Gjykata e fsheh aktakuzën kundër djalit të ministrit të Punëve të Brendshme

Besian Gashi është punësuar së fundi në Institucionin e Avokatit të Popullit si ekspert i teknologjisë informative.

Por dhjetë vjet më herët dijen e tij në këtë fushë e kishte aplikuar për të vjedhur para nga bankat në Kosovë.

Djali i ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka qenë në paraburgim për një muaj si i dyshuar për vjedhje, mashtrim e keqpërdorim të kartelave bankare. Nga ky gjyqësor ka arritur të shpëtojë paq, falë ndikimit në gjyqësor.

Një aktakuzë kundër tij dhe katër personave tjerë është e ngritur nga një prokuror i EULEX-it dhe një vendës, nuk është prekur kurrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Është lënë të arrijë afatin e parashkrimit absolut.

Gashi është akuzuar për tri vepra penale të dënueshme deri në tri vjet.

Kësisoj, ai nuk është gjykuar për veprimet e tij kriminale, të pranuara dhe konfirmuara edhe nga një i bashkakuzuar.

Nëna e Besian Gashit, Ajna Gashi mban pozitë të lartë në gjyqësor. Është administratore e Gjykatës Supreme, derisa i ati i tij një kohë ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit. I ati muaj më parë është emëruar ministër i Punëve të Brendshme, pas shkarkimit të Flamur Sefajt.

Insajderi ka zbuluar lënien në “harresë” të aktakuzës kundër Besian Gashit, Lavdim Bajgorës, Blerim Bajgorës, Ahmet Ahmetit dhe Fisnik Ahmetit.

Të gjithë të akuzuar në bashkëkryerje.

Aktakuza kudër tyre ishte ngritur më 6 qershor 2013. Tek më 16 shkurt 2016 i ishte ndarë gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Agim Kuçi. Ai kishte vendosur ta shfletonte tek më 21 tetor 2016. Tashmë aktakuza ishte e parashkruar. Krejt çka kishte bërë gjyqtari Kuçi ishte nxjerrja e një aktvendimi për refuzimin e aktakuzës për shkak të parashkrimit.

Prokuroria dhe Gjykata Themelore e Prishtinës nuk janë përgjigjur ende në pyetjet e Insajderit se pse kjo lëndë është lënë të parashkruhet.

E ëma e të akuzuarit, administratorja e Gjykatës Supreme, Ajna Gashi ka mohuar të ketë ndikuar në parashkrimin e aktakuzës kundër djalit të saj. Ndërkaq, i ati i të akuzuarit – ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi nuk ka kthyer përgjigje.

“Me të thanë të drejtën as që jam interesuar për rastin. Lënda ka qenë në një gjykatë tjetër dhe duhet të flisni me ta se pse është parashkruar”, ka thënë Ajna Gashi.

Megjithatë, historia e vjedhjes dhe mashtrimit të djalit të ministrit, mbetet e pakontestueshme. Atë e kanë konfirmuar hetimet, dëshmitë dhe ekspertizat profesionale.

Policia e Kosovës kishte pranuar disa raportime nga ProCredit Bank, Raiffeisen Bank dhe NLB Bank duke filluar nga tetori i vitit 2008, se një numër i kartelave false bankare dhe të kreditit false për tërheqje të parave.

Më vonë ishte vërtetuar se këto kartela të rreme ishin duke u përdorur për të blerë mallra nga dyqanet e shitjes me pakicë.

“Gjatë disa përgjimeve ligjore të komunikimeve telefonike, të dyshuarit janë dëgjuar të flisnin për prodhimin dhe përdorimin e kartelave të rreme të kreditit. Në disa biseda, janë dhënë udhëzime të veçanta se si të përdorin pajisjet për të krijuar kartela të rreme të kreditit. Në bisedat tjera ekzistojnë referenca specifike për posedimin e kartelave të tilla”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Adrew Hughes dhe prokurori, Blerim Isufaj.

I pandehuri Ahmet Ahmeti ishte identifikuar duke përdorur një kartelë të rreme bankare në një pompë karburantesh gjatë muajit gusht të vitit2009. Më vonë ishte vërtetuar se kartela që përdorej nga Ahmet Ahmeti ishte përdorur disa herë në pompën e njëjtë të karburanteve midis muajit maj dhe gusht të vitit 2009.

Gjatë hetimeve disa komunikime ndërmjet të pandehurit Ahmet Ahmeti dhe Fisnik Ahmeti ishte vërtetuar qartë se Ahmet Ahmeti ishte duke u përpjekur për të blerë/blinte mallra me kartela të falsifikuara bankare.

“Më 03.08.2009, në ora 17:49, Ahmet Ahmeti i ka dërguar një SMS Fisnik Ahmetit duke përdorur numrin 049534154: “Ok, a muj me shku me e ble një laptop?”, thuhet në aktakuzë.

Po atë ditë, Ahmet Ahmeti ia kishte dërguar një SMS Fisnik Ahmetit: A duhet me shku në atë rrugën n’Germi, qysh ke emri i dyqanit?”.

Komunikime të ngjashme mes tyre janë të shumta. Ato vërtetojnë se të akuzuarit po blinin karburante vazhdimisht në pompën “Vera” në Vragoli dhe “AIda” në Bresje.

“Më 05.08.2009 midis orës 18:54 dhe 19:05, në pompën e benzinës ‘VERA’, në Vragoli, janë realizuar katër transaksion me kartelën e kreditit nr. 7259 në emër të Xhemail Hysenit: 200 euro, 201 euro, 20 euro dhe 10 euro. I pandehuri Ahmet Ahmeti voziste një Fiat Punto me targa 555-KS-857. Karburanti ishte blerë edhe për kompaninë ‘AIDA’ Bresje Fushë Kosovë, karburanti ishte marrë me anë të një kamionete të bardhë me targa 479-KS-080”, thuhet në aktakuzë.

Vetëm në pompën “Vera”, në data të ndryshme dhe me kartela të ndryshme, Ahmet Ahmeti kishte blerë karburante në vlerë 3.225.00 euro.

Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, dëshmitari Bashkim Sylejmani, punonjës në pompën e benzinës “VERA”, në Vragoli, e kishte identifikuar Ahmet Ahmetin. Dëshmitari kishte deklaruar se Ahmet Ahmeti ishte disa herë në atë pompë të benzinës gjatë muajit gusht të vitit 2009, duke blerë karburant dhe vaj për makinën e tij. Disa herë ai kishte blerë karburante për miqtë e tij.

Blerje të tilla të akuzuarit kishin bërë edhe në dyqane e pompa tjera të karburanteve. Veprimet ishin të njëjta.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori, i pandehuri Lavdrim Bajgora, e kishte pranuar se shokut të tij të quajtur Fitim ia kishte dhënë një kartelë bankare të cilën e kishte marrë nga Besian Gashi.

“Gjatë përgjimeve telefonike të komunikimit të autorizuara nga gjykata u mësua se Besian Gashi dhe Fisnik Ahmeti ishin duke bashkëpunuar me Blerim Bajgorën, Lavdrim Bajgorën dhe Ahmet Ahmeti në përdorimin e kartave të falsifikuara të kreditit”, thuhet në aktakuzë.

Në bisedë në mes të të pandehurit Besian Gashi dhe Fisnik Ahmeti, datë 25.06.2010, në ora 15:25, të pandehurit flasin për kartelën e kreditit që kishte mbetur në MAXI 1. Kjo dëshmohet edhe me videokamerat e sigurisë.

Më 25.07.2010 në ora 12:35 në bisedë në mes të pandehurve Besian Gashi dhe Fisnik Ahmeti, Fisniku kërkoi kartela krediti, por Besiani i thotë se ai nuk kishte të atilla me ngjyra por vetëm blanko.

Në një bisedë mes Besian Gashit dhe një personi të panjohur kuptohet se Besian Gashi kishte bërë për të disa kartela kreditit prej të cilave personi tjetër kishte arritur t’i përdorte disa prej tyre.

I pandehuri Besian Gashi ishte përgjuar duke folur me të pandehurin Lavdrim Bajgora. Nga biseda mund të kuptohet se makina me të cilën i pandehuri ka për të prodhuar kartela të falsifikuara bankare nuk ishte duke i funksionuar dhe gjithashtu kishte mbetur pa ngjyrë.

“Një memo e Policisë e datës 31.08.2010, me numër të referencës 2010X038, si dhe listën e kartelave bankare të konfiskuara nga Policia, tregohet se një numër i kartave të falsifikuara dhe blanko ishin gjetur në shtëpinë e të pandehurit Besian Gashi. Në raportin numër 10- 444, nga ProCredit Bank, datë 14.10.2010, shkruan se kartelat bankare të cilat ishin konfiskuar në shtëpinë e të pandehurit Besian Gashi ishin të falsifikuara”, shkruan më tej në aktakuzë.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori i pandehuri Besian Gashi e ka pranuar se kishte prodhuar dhe u kishte dhënë kartela bankare të falsifikuara personave tjerë. Ka thënë se këtë e ka bërë me qëllim që të provonte nëse ishte e mundur të falsifikohen kartelat bankare.

“Bazuar në Raportin e Policisë, për zbulimin e të dhënave financiare të të pandehurit Besian Gashi ekzistojnë disa transaksione në vlerë prej 4.769.62 euro për Vietnam, Gana dhe vende të tjera për të njëjtit persona të cilëve të pandehurit Blerim Bajgora dhe Lavdrim Bajgora u kishin dërguar të holla. Këto para u janë dërguar personave të cilët e furnizonin atë me informata për kartelat e kreditit”, shkruan në aktakuzë./Insajderi.com