Gjykata e Pejës përfshihet në një kontest për 15 mijë e 500 euro të dhëna për lirimin nga burgu të një dilleri droge

Skandal në drejtësi  

Dy të akuzuar të dikurshëm së bashku me Salih Mekajn, po ballafaqohen sërish në gjyq. Ali Seferaj, ka paditur Vlora Goranin, nga e cila po kërkon kthimin e 15 mijë e 500 eurove të cilat ia kishte dhënë për lirimin e djalit të tij nga burgu. Këto para sipas Prokurorisë dhe vetë Goranit, do t’i jepeshin ish-kryetarit të Apelit, Salih Mekaj. Në aktgjykimin e Gjykatës se shkallës së parë është vendosur që kjo shumë parash t’i kthehen Vlora Gorani, e akuzuar për dhënie ryshfeti. Është konstatuar se paratë ajo i ka marrë nga Ali dhe Mentor Seferaj. Këtë vendim e ka vërtetuar Gjykata e Apelit. Në këtë mënyrë gjykatat i kanë mundësuar Vlora Goranit pasurim të kundërligjshëm. Përveç kësaj, vendimi për kthimin e parave të pandehurës Vlora Gorani, është në kundërshtim me nenin 281 paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale i cili saktëson se paratë të përfituara në mënyrë kundërligjore te konfiskohen.

Gjykata e Pejës përfshihet në një kontest për 15 mijë e 500 euro të dhëna për lirimin nga burgu të një dilleri droge

Një padi civile e ushtruar në Gjykatën Themelore të Pejës, e ka nxjerr gjyqësorin lakuriq se si i trajton rastet e korrupsionit të profilit të lartë.

Gjyqtarja Aferdita Mulhaxha, ka vendosur masë sigurie për 15 mijë e 500 euro të dedikuara për ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit Sali Mekaj. Kjo shumë parash nuk mund t’i kthehen Vlora Goranit, siç kishte vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit, derisa të përfundojë procedura civile mes saj dhe Ali Seferajt, i cili i kishte dhënë 20 mijë euro ryshfet për ta nxjerr djalin nga burgu.

Gorani, Mekaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm në mungesë provash. Gjykata, kishte vendosur pos tjerash që edhe shuma prej 15 mijë e 500 eurosh, të dedikuara sipas deklaratës së vetë, Vlora Goranit për ryshfet, Salih Mekajn, t’i kthehet asaj.

Mekaj dhe të tjerët ishin gjykuar gjykuar nga një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Shasivar Hoti, të cilit i është besuar një nga rastet më të rënda, rasti “Pronto”, në të cilin janë të përfshirë politikanë me shumë ndikim, siç janë, Adem Grabovci, Besim Beqaj, e Zenun Pajaziti.

Me këtë pikë nuk është pajtuar, Ali Seferaj, i cili ka bërë padi që paratë t’i kthehen atij e jo Vlora Goranit. Të dy kanë qenë të akuzuar bashkë me Salih Mekajn.

Gorani, kishte deklaruar në Prokurori se Ali Seferi ia kishte dhënë këto para për t’ia dhënë Salih Mekajt, në mënyrë që të lirohej nga burgu, djali i tij, Mentori i dënuar për tregti me drogë.

Kontesti civil tashmë nga rinxjerr në sipërfaqe burimin dhe qëllimin e këtyre parave.

Ali Seferaj, po e deklaron në padi se ia kishte dhënë 20 mijë euro, Vlora Goranit, me premtimin se këtë shumë parash do t’ia jepte, Salih Mekajt.

15 mijë e 500 euro të kësaj shume i ishin zënë asaj në shtëpi ditën e bastisjes. Masat e përgjimit tregonin se paratë do t’i jepeshin, Mekajt, në mënyrë që të ndikonte që të lirohej, Mentor Seferaj.

Insajderi, ka siguruar aktvendimin për masë sigurie të gjyqtares, Aferdita Mulhaxha, i nxjerr më 7 dhjetor të këtij viti.

“Aprovohet masa e përkohshme e sigurisë dhe i ndalohet Këshillit Gjyqësor të Kosovës-Agjencionit për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar, që shumën e të hollave prej 15.500 euro, të mos ia kthejë të paditurës Vlora Enver Gorani, nga Peja deri në përfundim më vendim të plotfuqishëm të kësaj çështje kontestimore”, thuhet në pikën e parë të këtij aktvendimi.

“Më këtë aktvendim të njoftohen: KGJK në Prishtinë – Sekretariati I KGJK-së Agjensioni për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë”, thuhet në pikën e dytë.

Në aktvendim përshkruhet historia e kësaj 20 mijë eurove, 4 e 500 prej të cilave i kishte shpenzuar, Vlora Gorani, sic ka thënë ajo për nevoja të vetat.

“Pala paditëse në Gjykatën Themelore në Pejë, ka parashtruar padi kundër të paditurës, për shkak të kthimit të borxhit, duke potencuar se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, respektivisht në pjesën III të dispozitivit, e paditura Vlora Gorani në bashkëkryerje me të birin e paditësit, Mentor Seferaj, dhe vetë paditësin Ali Seferaj, janë akuzuar së kanë tentuar të kryejnë veprën penale, dhënia e ryshfetit”, thuhet në arsyetim.

Aty shkruan se sipas marrëveshjes paraprake, në bashkëpunim mes veti më 20 shkurt 2015, në Pejë, e paditura Vlora Gorani ka marr nga paditësi, Ali Seferaj, shumën prej 20.000 euro, kinse për t’ia dhënë personit zyrtar Sali Mekaj, ish kryetarit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

“Është vërtetuar se paditësit më pëlqim të të birit të tij, i cili është në burg, Mentor Seferaj, këto të holla ia ka dhënë të paditurës, që të njëjtat të përdoren si dorëzani-zëvendësim të paraburgimit të për Mentor Seferaj, e jo për ndonjë qëllim tjetër”, thuhet në aktvendim.

Pavarësisht kësaj që thuhet, paratë sipas Prokurorisë ishin të dedikuara për Sali Mekajn. Nëse do të duheshin për dorëzani për lirim nga paraburgimi, kjo shumë parash do të mund të paguhej edhe nga vetë i ati i të paraburgosurit e jo t’i jepeshin, Vlora Goranit, e cila aso kohe e kishte në paraburgim edhe bashkëshortin e saj, Fahri Deçani.

Se paratë kanë qenë për Sali Mekajn, e ka thënë edhe vetë Gorani, gjatë marrjes në pyetje nga Policia pas arrestimit.

“Gjykata ka mbajtur gjykime dhe në të gjitha fazat e gjykimeve-kundërshtimit të provave dhe në provat tjera, si deklarata e të dyshuarit, aktvendimi për zbatimin e hetimeve, deklaratat e dëshmitarëve, shihet se është jo kontestuese që këto të holla paditësi ia ka dhënë të paditurës dhe këto fakte janë të vërtetuara edhe nga zyrtarët policorë dhe Prokuroria, se të hollat janë konfiskuar”, shkruan në aktvendimin për masë sigurie.

Gjyqtarja Mulhaxha, shkruan në aktvendim se në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që i shpall të akuzuarit të pafajshëm se këto të holla, Vlora Gorani, nuk ia ka dhënë, Sali Mekajt.

“Gjithashtu nga shkresa te lëndës që janë të bazuar në përgjimet dhe provat e tjera, vërtetohet se këto të holla të pandehurës Vlora Gorani i janë dhënë nga ana e paditësit me qëllim që djali i tij të lirohet nga paraburgimi. E paditura gjatë gjykimit ka pranuar se 4.500 euro i ka shpenzuar për nevojat e veta, ndërsa paratë tjera ka premtuar se do t’i kthejë”, shkruan në aktvendim.

Por, pas pas përfundimit të gjykimit në shkallë të parë, Gorani i ka thënë Seferajt, se këto para nuk do t’i shohë kurrë. Këtë e ka bazuar ajo në aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë kur ishte vendosur që paratë t’i ktheheshin asaj, e jo Ali Seferajt.

“Gjykata shqyrtoi me kujdes propozimin e paditësit për lëshimin e masës së përkohshme të sigurimit dhe pas analizimit të provave materiale të cilat gjenden në shkresat e lëndës, ka ardhur në përfundim se ky propozim është I bazuar”, thuhet në aktvendim.

“Gjykata pas analizimit dhe vlerësimit të provave të cilat gjenden në shkresat e lëndës, erdhi në përfundim se propozimi i paditësit për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, për momentin është i bazuar nga fakti se ekziston rreziku se pa caktim e masës së përkohshme të sigurisë do të vështirësohet dukshëm realizimi I kërkesës”.

Në nëntor të këtij viti Gjykata e Apelit e kishte liruar përfundimisht nga akuza ish-kryetarin e saj, Salih Mekaj, si dhe të akuzuarit Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj.

Sipas vendimit të Apelit, në aktgjykimin e shkallës së parë të atakuar nuk evidentohen shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 maj 2018, kishte liruar nga të gjitha akuzat ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Nga akuzat ishin liruar edhe të akuzuarit e tjerë Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj. Sipas këtij, aktgjykimi, shuma prej 15 mijë eurosh, që i ishte sekuestruar të akuzuarës Gorani, i kthehet asaj.

Ky proces gjyqësor është zhvilluar pa praninë e mediave dhe publikut për shkak se lidhej edhe me një aferë seksuale të Mekajt.

Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në maj të vitit 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj dhe tre të pandehurve tjerë: Vlora Goranit, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Mekaj, në cilësinë e personit zyrtar kishte shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë.

Mekaj i kishte premtuar të pandehurës Vlora Gorani, se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi.

I pandehuri Mekaj, me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Njëra prej këtyre lëndëve ka të bëjë me bashkëshortin e saj, Fahri Deçani për veprën penale të shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe vrasjes në tentativë.

Ndërsa, lënda tjetër ka të bëjë me mikun e saj, Mentor Seferaj, për veprat penale që lidhen me narkotikët në formë të krimit të organizuar, për të cilat lëndë i pandehuri Mekaj, i kishte premtuar të pandehurës Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale.

Sipas aktakuzës, Mekaj për këtë qëllim ishte takuar me gjyqtaren e çështjes, Lumturije Muhaxheri, më 16 korrik 2015, në Prishtinë, nga e cila kishte kërkuar që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor edhe pse e ka ditur që një gjë e tillë është në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 26.11.2013, që lënda kundër të pandehurve Fahri Deçani nuk mund të veçohet dhe kjo lëndë duhet të bashkohet me lëndët për të njëjtën çështje penale ndaj të pandehurve, Haki Gjocaj dhe Florim Gjocaj./Insajderi.com

Ndikimi i Mekajve në Gjyqësor – Nushe Mekaj i bashkohet gjykatës që po gjykon djalin e saj