Hakmarrja e Kurtit dhe Konjufcës kundër Hashim Thaçit

Përplasjet e filluara qysh moti, po i vazhdojnë edhe tani. Kryeministri Albin Kurti e ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ende kanë inate me presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Kurti e Konjufca, prej se kanë ardhur në pushtet kanë filluar që t’i shkarkojnë njerëzit që janë nëpër pozita e që kanë lidhje me presidentin Thaçi në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Hakmarrja e Kurtit dhe Konjufcës kundër Hashim Thaçit

Derisa ishte në opozitë Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti e Glauk Konjufca, e kritikuan e akuzuan ashpër Hashim Thaçin, kur ky ishte kryeministër, por edhe tani si president. Inatet e përplasjet, krerët e Vetëvendosjes po i vazhdojnë me presidentin Thaçi, edhe tani kur kanë ardhur në pushtet, shkruan Insajderi.

Në kohën sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, përplasjet ishin të ashpra në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave plenare. Në njërën nga seancat plenare, Thaçi e Kurti ishin përplasur fort duke akuzuar njëri tjetrin me epitetet nga me të ndryshmet, nga hajn, tradhtar, e çka jo tjetër.

Albin Kurti, i kishte thënë Thaçit aso kohe kryeministër, teksa po raportonte për dialogun me Serbinë, se po bënë patriotizëm në Shqipëri duke e ngritur flamurin kombëtar, ndërsa në kufi me Serbinë nuk guxon ta bëjë atë.

Kishte reaguar menjëherë Thaçi, duke i pyetur Kurtin, që si patriot që tregohet, pse nuk shkon që flamurin kombëtar ta ngrit në Vlladimir të Malit të Zi, ku ai sipas Thaçit ishte vendlindja e Kurtit.

Sërish kishte reaguar Kurti, duke i thënë ish kryeministrit Thaçi, se vendi prej nga vjen nuk i thuhet Vlladimir, por i thuhet Katërkollë, dhe se ai nuk ka lindur atje.

“Unë kam lindur në Prishtinë”, i kishte thënë Kurti.

Ndërsa, përgjigja e Thaçi ishte se ai që mohon vendlindjen e tij, mohon edhe kombin e vet.

“Kurrë nuk e përmendet vendlindjen tuaj. Ai që e mohon vendlindjen e vet, e mohon edhe kombin e vet”, kishte thënë Thaçi.

Përplasje, akuza e kundër akuza ka pasur edhe pasi Hashim Thaçi u bë president i Kosovës.

Në një proces gjyqësor që u zhvillua vitin e kaluar ndaj disa personave të organizatës “Syri i Popullit” presidenti Thaçi, kishte bërë përgjegjës kryetarin e VV-së, Albin Kurti dhe anëtarin e saj, Glauk Konjufca, se qëndrojnë mbrapa kësaj organizate.

“Nuk i kam kthyer sepse kam pasur informacione nga miq që e njohin se ai nuk din të shkruajë, por pastaj kam pranuar informacione se pas kësaj organizate kriminale qëndron Sadri Ramabaja, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, kishte thënë Thaçi në dëshminë e tij në këtë proces.

Menjëherë pas kësaj deklarate, kryetari i VV-së dhe anëtari i kryesisë, Glauk Konjufca, kishin deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kallëzim penal për shpifje.

Albin Kurti kishte thënë se presidenti i vendit kishte bërë këto deklarata për ta luftuar dhe dëmtuar Vetëvendosjen.

“Dorëzimin e kallëzimit penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme kundër ‘Syrit të Popullit’ me rastin e sulmit që kanë bërë ata kundër meje dhe Glaukut. Këta aty kanë bërë deklarata të rrejshme, kanë shpifur. Ka ta bëjë me tendencë politike të qartë, që ta luftojnë Lëvizjen, kjo ka të bëjë me eliminim politik të Vetëvendosjes”, kishte deklaruar Kurti.

“Sipas presidentit, unë dhe Albini jemi të lidhur me një organizatë si ‘Syri i Popullit’. Presidenti ka thënë që të zgjerohet akuza kundër meje dhe Albinit. Ata kanë zgjedhur që përmes drejtësisë ta godasin kundërshtarin politik. Ne besojmë që këtu ka prokurorë të guximshëm por që nuk vijnë në shprehje”, pati thënë Glauk Konjufca.

Përplasjet dhe inatet vazhduan edhe pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet dhe Kurti u bë kryeministër.

Madje, tani kur Vetëvendosja ka ardhur në pushtet ka filluar t’i hakmerret presidentit Hashim Thaçi.

Kurti e Konjufca kanë filluar që t’i shkarkojnë njerëzit që janë nëpër pozita e që kanë lidhje me presidentin Thaçi në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi.

I tillë ishte edhe vendimi i fundit i Glauk Konjufcës, tani ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes së cilit kërkoi largimin e shtatë ambasadorëve, që janë kryesisht njerëz të afërt me Hashim Thaçi.

Kërkesa për shkarkimin e ambasadores Vlora Çitaku, e cila ka qenë në PDK, në kohën sa Thaçi ishte kryetar i kësaj partie, Lirim Greiçevcit, i cili ka qenë këshilltar i Thaçit, Ramadan Avdiut e Mimoza Ahmetajt, ish bashkëpartiak të presidentit, po shihet si goditje ndaj tij.

Por, ambasadorja Vlora Çitaku, në reagimin e saj pas kërkesës së Konjufcës për shkarkim, ka pranuar se ajo është ‘viktimë’ e përplasjeve dhe betejës mes presidentit Thaçi dhe Qeverisë, gjegjësisht Kurtit e Konjufcës.

“Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, ka theksuar Çitaku.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, Çitaku ka thënë se në këtë periudhë tranzitore do të përmbushë të gjitha detyrat me përgjegjësi, ashtu siç ka bërë çdo herë.

Ministri Konjufca më herët ka shkarkuar edhe 14 konsuj që janë emëruar në dy vitet e fundit nëpër misionet diplomatike të Kosovës, të cilët kanë lidhje me Thaçi, por edhe partitë tjera që ishin në pushtet në mandatin e kaluar.

Ndër konsujt e shkarkuar ishte edhe nipi i Sami Lushtakut, një mik i ngushtë i presidentit Thaçi dhe ish-bashkëpartiak në PDK.  /Insajderi.com