Haradinaj bën këshilltar të dënuarin për keqpërdorime të fondit milionësh

Të paktën dy këshilltar me dyshime për të kaluar kriminale janë bërë pjesë e kabinetit këshillues të kryeministrit, Ramush Haradinaj. Jahja Lluka është emëruar ditë më parë nga Haradinaj si këshilltar politik. Vite më parë ai është dënuar për keqpërdorime me fondin milionësh “Haradinaj”. Ky dënim nuk e ka penguar kryeministrin e ri që të marrë këshilla nga ky i dënuar.

Haradinaj bën këshilltar të dënuarin për keqpërdorime të fondit milionësh

Më 24 nëntor 2005, Jahja Lluka kishte një shumë të madhe parash në duar. Gjithsej 350 mijë euro. Destinimi i tyre ishte i qartë – Fondi Haradinaj.

Gjithë këtë shumë, Lluka e kishte ndarë në 39 pjesë nën dhjetë mijë euro për t’i deponuar në bankë.

Nuk kishte asnjë dëshmi se ki i kishte marrë. Arsyetohej se donatorëve u kishin dhënë vetëm nga një dëftesë, por se nuk kishin ruajtur kopje tjera.

Prejardhja e këtyre parave për Prokurorinë ishte e dyshimtë. Besohej se ishin para të pista.

Aso kohe Haradinaj ishte në Hagë duke u përballur me drejtësinë. Tri vjet më vonë është shpallur i pafajshëm. Gjykata tha se disa dëshmitarë ishin kërcënuar dhe tërhequr nga dëshmitë. Mes tyre, Shefqet Kabashi.

Ndërkohë, Lluka ishte shef i Kabinetit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pos themelimit të Fondit Haradinaj që udhëhiqej nga ish-ministrat, Ethem Çeku e Astrit Haraqija, para të shumta ishin mbledhur me telefonata që kushtonin një euro.

Haraqija më vonë së bashku me Bajrush Morinën, dhe Baton Haxhiun ishin akuzuar nga Prokuroria e Hagës për ndikim në dëshmitar. Të tre ishin arrestuar.

Për më shumë se dy vjet, Lluka kishte depozituar para në këtë mënyrë. Për këtë ishte akuzuar nga Prokuroria për shpëlarje parash, bashkë me ish-drejtorin e Kasa Bankës, Milazim Abazin dhe një zyrtar tjetër të kësaj banke.

Abazi ishte shpallur i pafajshëm, ndërkohë Lluka ishte dënuar me nëntë muaj burgim me kusht.

Pavarësisht këtij dënimi për vepër penale, kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka hezituar që Llukën ta bëjë pjesë të kabinetit të tij. Ai është njëri prej këshilltarëve politik.

Një tjetër këshilltar me të kaluar kriminale, ka emëruar Haradinaj. Gazmend Sylën, me të cilin pos tjerash ka edhe lidhje familjare.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar disa vjet më parë, Lluka ishte munduar të mbrohej me fakte që sipas tij, njerëzit kishin dhënë para, por disa prej tyre nuk donin t’u përmendej emri.

Akuzat e Prokurorisë Speciale lidheshin me keqpërdorime përgjatë dy vjetëve – 2005, 2006.

Gjatë marrjes në pyetje gjatë gjykimit, Lluka kishte thënë se ishte njëri nga themeluesit e këtij fondi dhe ishte personi i tretë përgjegjës pas dy ish-ministrave, Astrit Haraqisë dhe Ethem Çekut.

“Përgjegjës i autorizuar nga Çeku dhe Haradinaj për deponimin e parave kam qenë unë ndërsa për mbledhjen komiteti për mbrojtjen e Haradinaj i përbërë nga 100 vullnetarë në të gjitha komunat e Kosovës”, kishte thënë Lluka për të shtuar se këtë fond e kishin ndihmuar të gjitha institucionet, bankat, kompanitë e sigurimeve, bizneset private, afaristët dhe qytetarët.

Lluka kishte thënë se çdo donatori dhe kontribuuesi i ishte dhënë një dëftesë për kontribut por vetëm në një kopje, ndërsa në komitet nuk kishte dëftesa të tilla si dëshmi të marrjes së parave.

E, paratë e mbledhura anë e kënd Kosovës dhe në diasporë, Lluka kishte thënë se ishte përgjegjës për deponimin e tyre në bankë, atëherë kur paratë ishin dhënë kesh.

Fondi “Haradinaj” sipas Jahja Llukës, ishte ndihmuar edhe me hua.

Një hua mbi gjysmë milioni euro e kishte dhënë biznesmeni, Hysen Geci. Bashkëpronari i Harry Bajraktarit, në disa bizneseve, Hysen Geci, nga fshati Llukë e epërme e Deçanit sipas Llukës i kishte dhënë hua Ramush Haradinajt, 535 mijë euro para të thata.

Këto para kesh i kishte pranuar i akuzuari Lluka në disa këste, por deponimin e tyre në bankë e kishte bërë në shuma të ndryshme dhe në emra të ndryshëm.

“Geci nuk ka pranuar që t’i përmendet emri për shkak se edhe ishte i një partie tjetër. Për këtë kam mbledh njerëz në mënyrë vullnetare kanë pranuar që paratë të qiten në emrin e tyre si donator”, ka thënë Lluka.

Ish-këshilltari i Çekut, ka thënë se listat me emrat e njerëzve asnjëherë nuk i kishte përgatitur ai, por ato lista ishin bërë nga anëtarët e komitetit dhe bashkë me paratë ai vetëm i kishte dërguar në bankë. Deponime të tilla kryesisht në shuma prej 9 mijë eurosh, Lluka kishte bërë edhe me 6 shtator 2005, 14 shkurt 2006. këtë ditë ai kishte bërë 29 deponime në “Kasa Bankë” në vlerë prej 9 mijë euro. Kishte vazhduar edhe me 19 maj, në tetor 2005

20 shkurt 2006, 3 nëntor 2006. deponimet Lluka i kishte bërë kryesisht në një degë të “Kasa Bankës”, afër kinemasë ABC.

Por, arsyeja sipas tij që këto deponime i ka bërë në këtë degë, ishte se aty afër e kishte edhe vendin e punës – në Qeverinë e Kosovës.

Një zyrtare e bankës kishte dëshmuar se si kishin lindur dyshimet për shpëlarje parash. Ajo kishte marrë një e-mail nga Aferdita Mexhuani dhe se kishte menduar që të shikoheshin këto transaksione.

Dyshimi i kishte lindur pasi që në të njëjtën ditë ishin bërë shumë deponime parash në vlerë prej 9 mijë eurosh secili dhe afati kohor i një deponimi nga tjetri kishte qenë nga një deri në tre minuta.

Ajo bashkë me kolegen kishte shkuar në zyrën e drejtorit gjeneral, Milazim Abazi, të cilin e kishte informuar se këto transaksione nuk ishin në rregull dhe duhej marrë masa.

“Ne kemi pasur me vete një letër të printuar të llogarisë së fondit ‘Haradinaj’. Abazi tha se këto transaksione duhet të ndalen menjëherë. Na dukeshin të dyshimta sepse ishin deponuar shumë para nga nëntë mijë euro dhe pauza kohore nga deponimi në deponim ishte vetëm 2-3 minuta”, ka thënë dëshmitarja për të shtuar se ajo që e kishte bërë përshtypje kishte qenë se këto transaksione ishin bërë nga një person në emra të ndryshëm të firmosura nga një firmë.

“Unë e kam kuptuar se disa transaksione janë bërë nga Jahja Lluka”.

Lluka, akuzohej për deklarim apo raportim të rremë të kontributeve financiare në kundërshtim me rregulloren 2004/2 të UNMIK-ut dhe pranim i paligjshëm i kontributeve në para.

Sipas aktakuzës, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Çeku, Jahja Lluka nga data 19 gusht 2005, deri më 25 janar 2007, si bashkëthemelues dhe përfaqësues i autorizuar i Organizatës Joqeveritare “Komiteti për mbrojtjen e Ramush Haradinajt”, kishte depozituar të holla në xhirollogarinë e fondit “Haradinaj” në “Kasa Bankë”, i kishte ndarë dhe strukturuar depozitimet në transaksione të shumëfishta në shuma prej më pak se 10.000 eurosh me emra të shumë individëve të tjerë.

Me gjithë këto parregullsi me këtë fond dhe dënimin e Llukës për vepër penale, Haradinaj nuk ka hezituar që atë ta bëjë pjesë të kabinetit të këshilltarëve./ Insajderi.com

Kryeministri Haradinaj emëron këshilltar një të dyshuar për lidhje me krimin