Kolegji ISPE i dërgon studentët tek përmbaruesi privat – kërkon nga tre mijë euro prej tyre

Kolegji ISPE, i cili nuk ka akreditim në shumicën e programeve të studimit, i ka dërguar tek përmbaruesi privat disa studentë të saj të cilët kishin lënë studimet para shtatë vitesh. Studentët kanë rrëfyer për Insajderin se edhe pse janë tërhequr nga studimet në këtë kolegj që në vitin e parë të tyre, ISPE i ka dërguar ata tek përmbaruesi privat para disa javësh.

Kolegji ISPE i dërgon studentët tek përmbaruesi privat – kërkon nga tre mijë euro prej tyre

Në muajin tetor të këtij viti, Alban A.* i erdhi një paralajmërim nga Kolegji ISPE për të paguar një borxh, që ky institucion arsimor, pretendon se studenti ka ndaj kolegjit. Përmes një e-maili, kolegji njoftoi studentin e saj se duhet shlyer një “obligim financiar” me vlerë rreth tre mijë euro.

ISPE i referohej një kontrate që Alban A.* kishte nënshkruar me kolegjin në vitin 2011, për studime në programin bachelor për Studime të Integruara Evropiane.

“Ne kërkojmë me mirësjellje që ju këtë obligim ta kryeni brenda afatit 7 ditor në njërën nga xhirollogaritë e ISPE. Në të kundërtën lënda juaj do të dërgohet tek Përmbaruesi Ligjor dhe rrjedhimit për ju do të rrjedhë edhe kamata ligjore për shumën e papaguar deri më tani”, thuhej në e-mailin që Alban A. ka pranuar nga kolegji.

Më shumë se një javë më vonë, ndaj Alban A.* hyri në fuqi një urdhër përmbarimor të propozuar nga Kolëgji ISPE, e të cilin e mori përsipër përmbaruesi privat Flamur Bogaj. Në një njoftim që i ka dërguar studentit Alban A.*, përmbaruesi privat urdhëron studentit që “t’ia paguajë kreditorit Kolegjit ISPE shumën e të hollave prej 3 mijë e 90 euro.

“Në bazë të dokumentit të besueshëm, caktohet përmbarimi dhe i urdhërohet debitorit, që menjëherë pas pranimit të këtij urdhri t’ia paguajë kreditorit Kolegjit ISPE shumën e të hollave prej 3,090.00 euro, me kamatë prej 8% nga dita kur borxhi është bërë i arritshëm për pagesë deri në ditën e pagesës së tërësishme”, thuhet në dokumentin, të cilin e ka siguruar Insajderi.


Propozimi dhe urdhri për precedurë përmbarimore ndaj studentit Alban A.*

Alban A.* në Kolegjin ISPE ishte regjistruar në vitin 2011. Kishte vijuar studimet vetëm për një semestër dhe kishte paguar pesë këstet e para mujore. Ai thotë se me ish-drejtorin e kolegjit, Avni Mazrekun, kishte bërë marrëveshje gojore që të paguante një vit të studimeve me çmim prej 840 euro, ndërkaq në kontratë çmimi i një viti kishte vlerën e 1,150 eurove.

“Pesë këstet e para i kam paguar me çmim ashtu siç jemi marrë vesh gojarisht: 70 euro për muaj, ndërkaq tash me përmbarues Kolegji po kërkon paratë ashtu siç shkruhet në kontratë”, thotë ai, derisa posedon edhe dëshmi se këstin mujor e ka paguar për pesë muaj me çmimin sipas marrëveshjes gojore, prej 70 eurosh.

Përveç se ndihet i mashtruar nga drejtuesit e kolegjit, Alban A.* shprehet se pas atyre pesë muajve, para shtatë vitesh i kishte tërhequr dokumentet e tij nga Kolegji ISPE. E kishte njoftuar administratën e kolegjit se nuk do t’i vijonte më studimet aty.

“Unë në administratë të kolegjit kam shkuar dhe i kam tërhequr dokumentet dhe jam marrë vesh gojarisht që të mos jem më student i kolegjit. Faktikisht ata nuk kanë më aty diplomë timen. Diplomën e kam në një tjetër universitet”, shprehet 32-vjeçari.

Për studentin Alban A.* veprimet e Kolegjit ISPE nuk kanë bazë ligjore. Në një rrëfim për Insajderin, 32-vjeçari nga Prishtina shprehet se lidhur me inicimin e procedurës përmbarimore ndaj tij ka angazhuar një avokat. Thotë se përmes tij, ka dërguar një ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Unë jam konsultu me një avokat. Është një ankesë dhe në atë ankesë avokati i ka gjetur të gjitha ato të cilat në bazë të ligjit tregojnë se ISPE nuk ka kurrfarë të drejte”, shprehet ai. “Aty thuhet se nëse lënda vjetërsohet për 5 vjet, atëherë kontrata është e pavlefshme”.

Në ankesën që avokati i Alban A.* ka përpiluar ndaj procedurës përmbarimore të propozuar nga Kolegji ISPE, pretendohet se propozimi për përmbarim është i pathemelt dhe i pasafatshëm.

Ai bazohet tek Neni 354 i Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, paragrafi 1 dhe 2, i të cilit thotë:

1. Vetë e drejta nga e cila rrjedhin kërkesat periodike parashkruhet për pesë vite duke llogaritur nga arritja për pagesë e kërkesës më të vjetër të pa përmbushur pas së cilës debitori nuk ka kryer dhënie.

2. Kur parashkruhet e drejta nga e cila rrjedhin kërkesat periodike, atëherë kreditori humb të drejtën jo vetëm të kërkojë prestime të ardhshme periodike, por edhe prestime periodike të cilat kanë arritur për pagesë para këtij parashkrimi”.

“Do ta padisë ISPE-në për mashtrim”

Alban A.* nuk është studenti i vetëm ndaj të cilit Kolegji ISPE ka propozuar nisjen e procedure përmbarimore. Një tjetër student, i cili tashmë jeton në Angli, ishte regjistruar në këtë kolegj shtatë vite më parë dhe ndaj tij është inicuar procedurë përmbarimore nga Kolegji ISPE.

Studenti me iniciale B.Z. (emër i njohur për redaksinë) ka rrëfyer për Insajderin se më 10 tetor i ka ardhur një palralajmërim se ndaj tij do të nisej pas shtatë ditësh procedura përmbarimore për t’i paguar afër 3 mijë euro “borxh ndaj Kolegjit ISPE”.

“Unë jam regjistruar në vitin 2011 në Kolegjin ISPE. një vit ka qenë 1150 euro por pasi që shkuam tre persona prej një familjeje na bënë zbritje për një vit 840 euro vitin, e ku këstin e kemi paguar 70 euro edhe unë kam bërë pagesë për 5 muajt e parë 350 euro”, thotë B.Z..

“Pastaj mbeta pa punë dhe në pamundësi për t’i vazhduar studimet sepse nuk lejohej pjesëmarrja në provime pa paguar këstin mujor u detyrova që t’i ndërpres ato”, shprehet ai. “Pas një viti shkova në Angli ku jetoj edhe sot. Më 26 nëntor më erdhi një letër prej përmbaruesit për pagesë të kolegjit ku thuhej që ju detyrohem 3,090 euro me çmimin siç ka qenë në kontratë, dhe jo me çmimin siç na kanë bërë zbritjen”.

Ai thotë se kur të vijë në Kosovë do ta padisë Kolegjin ISPE, për siç shprehet ai, mashtrimin që i ka bërë.

“Tash kur të vijë në Kosovë për fundvit, puna e parë që do ta bëjë nëse ka fillu me funksionu ligji ashtu siç duhet, do ta padisë kolegjin ISPE për mashtrim dhe përmbaruesin që ka marrë në përmbarim një kontratë studentore që nuk është përmbaruese”, ka deklaruar B.Z. për Insajderin.

Ai thotë se ISPE, pas humbjes së akreditimit në shumicën e programeve, ka filluar t’u marrë paratë studentëve që janë regjistruar në këtë kolegj, e të cilët më pas janë tërhequr nga studimet.

“Këtë mundet me e bë vetëm një kolegj që nuk ka të ardhme”, thotë ai. “Sipas informatave që kam, pasi që nuk i është akredituar asnjë program bachelor nga agjensioni i Akreditimit, ISPE nuk ka mundur të regjistroj asnjë student të ri nga ky vit”.

Përmbaruesi privat thotë se “ekziston dokumenti i besueshëm për borxhin e studentëve”

Ndonëse studentët e cilësojnë mashtrim dhe të bazuar ligjërisht procedurën përmbarimore ndaj tyre, përmbaruesi privat, Falmur Bogaj thotë se ekziston “dokumenti i besueshëm” për borxhin e studentëve.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Bogaj shprehet se ekziston bazë ligjore për procedurën përmbarimore kundër studentëve.

“Ekziston dokumenti i besueshëm dhe fatura me të cilën është procedu rasti tek unë. Për të tjera çështje vendos Gjykata”, i ka thënë Bogaj, Insajderit.

Insajderi ka kërkuar sqarime edhe nga Kolegji ISPE lidhur me propozimin e procedurës përmbarimore ndaj studentëve, mirëpo drejtori i Kolegjit, Bajram Ibraj nuk i ka kthyer përgjigje gazetës përmes e-mailit.

Ndërkaq, në një bisedë telefonike, sekretari i Përgjithshëm i Kolegjit ISPE, Leonis Gashi ka thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje. “Nuk kam çfarë të deklarojë për këtë çështje sepse nuk jam kompetent. Është përmbaruesi Flamur Bogaj ai i cili është kompetent për këtë çështje dhe është Gjykata organi që i zgjidh këto çështje”, është shprehur Gashi.

Në muajin gusht të këtij viti, Kolegji ISPE humbi akreditimin në shumicën e programeve të saj. Agjencia e Kosovës për Akreditim mori vendim që ISPE-së t’ia akreditonte vetëm programin për Studime të Sigurisë. /Insajderi.com

* Alban A. nuk është emri i vërtetë i studentit (identiteti i tij është i njohur për redaksinë)